Policia e Sarandës ka zbardhur plagosjen me thikë dhe ka arrestuar autorin e dyshuar, Ylber Hamzajn, 45-vjeç nga Kryemadhi i Kukësit.

Ai dyshohet se plagosi me mjet prerës 42-vjeçarin Olsi Muçodemi, ngjarje që ndodhi paraditen e së mërkurës.

Sipas hetimeve bëhet fjalë për një konflikt të çastit për arsye banale ‘pse më sheh’, ndërsa më pas agravoi në përdorimin e mjetit prerës.

Hamzaj goditi Muçodemin me një mjet prerës, duke i shkaktuar plagë në gjoks dhe dorë, dhe më pas u largua nga vendi me qëllim për t’u shmangur nga autoritetet.

Policia arriti ta identifikojë dhe të lokalizojë autorin përmes kamerave të sigurisë pranë vendit të ngjarjes. Ai u kap në zonën e Qafë të Gjashtës, ndërkohë që ndodhej në gjendje të dehur. Burime policore bëjnë me dije se Hamzaj ishte vetëm pak ditë në Sarandë për punë.

Ndërkohë, hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe motivet e saj vijojnë.