Kryeministri Edi Rama ka ftuar qytetarët të shijojnë mbrëmjen e kësaj të shtune, finalen e turneut ndërkombëtar të padelit, që zhvillohet për herë të parë në vendin tonë.

“MIRËMËNGJES dhe me ftesën që pas finales së madhe të UEFA CHAMPIONS LEAGUE-s të shijoni finalen e turneut ndërkombëtar të padelit, FIP PLATINUM ALBANIA sonte në Sheshin Skënderbej, ju uroj një fundjavë të qetë”, shkruan kreu i qeverisë ndërsa ndan edhe disa foto nga organizimi në qendër të kryeqytetit.

Sheshi “Skënderbej” është shndërruar në epiqendrën e një turneu që po e kthen Tiranën në një arenë ndërkombëtare sporti, pasi Shqipëria hyn për herë të parë në hartën elitare të padelit botëror me organizimin e një eventi të nivelit FIP Platinum, i konsideruar si një nga nivelet më të larta të garave ndërkombëtare në këtë sport.