Kreu i PS dhe kryeministri, Edi Rama zhvilloi këtë të enjte një takim me socialistë të Qarkut Korçë, me rastin e 35-vjetorit të Partisë Socialiste.

Në fjalën e tij, e cila u shkurtua për shkak të reshjeve të shiut që filluan të nisnin sapo ai u ngjit në podium, Rama kujtoi masakrën e 26 majit të vitit 1996, kur Sali Berisha manipuloi dhe deformoi në mënyrë të pashembullt zgjedhjet parlamentare, ndërsa dy ditë më vonë përdori Policinë e Shtetit dhe Shërbimin Informativ Kombëtar për të dhunuar në mënyrë brutale opozitën e saj kohe, mes së cilës ndodhej edhe PS.

Rama theksoi se “ai 26 maj sot është i papërfytyrueshëm për të rinjtë apo shumëkënd tjetër që nuk e ka jetuar atë moment dramatik”.

“Nuk mundet dot të mos e përsëris që një koincidencë e madhe e bashkoi në një datë, 26 maji, dy momente shumë domethënëse të historisë së PS. 26 maji i ’96, kur socialistët u përballën me furinë e një dhune dhe me një brutalitet që faktikisht vuri të gjithë shoqërinë përballë sfidës reale të ndërtimit të demokracisë, si një sfidë që u shfaq shumë më e madhe sesa dukej kur u përmbys diktatura, dhe që e vendosi PS në një situatë dramatike, ku ata të cilët ishin në vijën e parë, qoftë si përfaqësues të PS, qoftë si drejtues, apo si komisionerë, u dhunuan, ashtu sikundër u dhunuan dhe rezultatet e atyre zgjedhjeve, që u grabitën nga pushteti i degraduar i PD.

Ai 26 maj sot është i papërfytyrueshëm për të rinjtë apo shumëkënd tjetër që nuk e ka jetuar atë moment dramatik. Është e paimagjinueshme sot që Shqipëria, ku opozita dhunohej rregullisht, ku kishte vetëm një ekran, ekranin e RTSH-së, dhe në atë ekran nuk shfaqej asnjëherë opozita, përveç ndonjë rasti me pamje që mbuloheshin nga komentet negative të spikerit të lajmeve. Shqipëria e asaj kohe kishte vetëm një gazetë opozite, e cila edhe ajo u bë shkrumb e hi nga ai që ishte vërtet një regjim brutal.

Nuk mund të imagjinohet sot se ishte e pamundur të ishe në opozitë dhe të mos keqtrajtoheshe, duke u denigruar dita-ditës”,- tha Rama.

Kreu i qeverisë vuri në pah ndryshimin epokal të 26 majit ’96 me 26 majin e vitit 2026, kur Shqipëria sot është më afër anëtarësimit në Bashkimin Europian se kurrë më parë.

“Dua ta lidh këtë 26 maj me 26 majin e shumë pak ditëve më parë, ku PS e ngjiti Shqipërinë edhe një majë më lart në rrugën drejt majës që faktikisht është amaneti që kemi ndaj të parëve tanë, është borxhi që u kemi fëmijëve tanë; maja ku gjendet shtëpia e Europës së Bashkuar, ku pa diskutim do të vendosim me respekt flamurin kuqezi të Ismail Qemalit dhe Gjergj Kastriotit”,- tha Rama.

“PS në këto 35 vjet ka dëshmuar se është e vetmja forcë politike që mund të jetë në një marrëdhënie të drejtë me interesin kombëtar”, mbylli fjalën e tij kryesocialisti, duke shtuar se shiu që i shkurtoi fjalimin, simbolizon bereqetin elektoral që synon të ketë Partia Socialiste në zgjedhjet vendore të vitit 2027.