Kryeministri Edi Rama publikoi mëngjesin e kësaj të enjteje një video me përmbajtje politike dhe historike, ku krahason dy momente të ndryshme të Shqipërisë, 26 majin e vitit 1996 dhe 26 majin e vitit 2026.

Në pjesën e parë të videos shfaqen pamje nga zgjedhjet parlamentare të 26 majit 1996, një proces i kontestuar në historinë politike të vendit, ku sipas materialit të publikuar evidentohen episode dhune ndaj komisionerëve dhe drejtuesve të Partisë Socialiste.

Pjesa e dytë e videos fokusohet te 26 maji 2026, ku delegacioni shqiptar mori pjesë në Konferencën Ndërqeveritare me Bashkimin Europian, zhvillim që sipas qeverisë shënon hyrjen e Shqipërisë në fazën finale të negociatave për anëtarësim, pas kalimit të procesit IBAR për Themeloret.

Përmes këtij postimi, kreu i qeverisë sjell një paralelizëm mes Shqipërisë së tensioneve politike të viteve ’90 dhe Shqipërisë që sot synon mbylljen e negociatave me Bashkimin Europian.