Prej ditësh, një seri kontrollesh të befasishme janë zhvilluar në burgjet e vendit, ku përveç telefonave celularë dhe karikuesve, autoritetet kanë konstatuar edhe sende të ndaluara, mes tyre pije alkoolike.
Burime pranë sistemit penitenciar bëjnë me dije se pas kontrolleve të ushtruara në Burgun e Sigurisë së Lartë në Peqin, komisioni disiplinor ka marrë në pyetje të dënuarin me burgim të përjetshëm, Gazmend Brakën, i njohur ndryshe si “Gaxhai”.
Sipas të njëjtave burime të raportuara këtë të mërkurë nga gazetarja Anila Hoxha, gjatë kontrollit në ambientet e qelisë së tij janë gjetur dy shishe me lëngje të dyshuara si alkool, konkretisht verë dhe uiski. Për këtë arsye, gjatë seancës së marrjes në pyetje, Braka ka mohuar kategorikisht që bëhej fjalë për pije alkoolike.
“Nuk është alkool. Nuk ka as verë dhe as uiski. Janë lëngje boronice që i përdor për probleme me veshkat dhe për pastrimin e organizmit”, mësohet të ketë deklaruar ai para komisionit disiplinor.
Ndërkohë, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve ka nisur verifikimet dhe mostrat e sekuestruara janë dërguar për analizë laboratorike, nga ku pritet një përgjigje zyrtare mbi përmbajtjen e tyre.
Po ashtu, gjatë kontrolleve janë marrë në pyetje edhe dy të dënuar të tjerë, pasi në qelitë e tyre janë gjetur dy telefona celularë. Ata kanë pranuar posedimin e pajisjeve, por nuk kanë dhënë detaje mbi mënyrën se si ato janë futur brenda institucionit të vuajtjes së dënimit.
Kontrollet intensive në burgje kanë vijuar prej javësh në disa institucione penitenciare të vendit, si pjesë e një aksioni të gjerë për goditjen e sendeve të paligjshme brenda qelive. Një prej operacioneve të fundit është zhvilluar në burgun e Fushë-Krujës, ku gjithashtu janë zbuluar telefona celularë dhe pajisje komunikimi.
Gazmend Braka, i njohur në botën e krimit si “Gaxhai”, konsiderohet një nga figurat më të njohura kriminale në Shqipëri. Ai vuan dënimin me burgim të përjetshëm për një seri ngjarjesh të rënda kriminale të ndodhura në qytetin e Vlorës, në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
Pavarësisht masës së sigurisë së lartë, Braka ka tentuar disa herë arratisjen nga burgu. Tentativa më e njohur daton në vitin 2005, kur ai dyshohet se tentoi të largohej nga burgu 302 përmes një tuneli të hapur në mënyrë të fshehtë.










