Dy persona janë neutralizuar dhe arrestuar nga Policia gjatë një operacioni të zhvilluar në aksin rrugor “Mamurras-Laç”, pasi dyshohet se tentuan të përplasnin me automjet efektivët e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale.

Sipas Policisë, njëri prej të arrestuarve ishte Leonard Dema, 23 vjeç, i shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe i dënuar nga Gjykata e Trentos në Itali me 7 vite burg për tentativë vrasjeje.

Blutë bëjnë me dije se gjatë ndërhyrjes për kapjen e tij, Dema, i cili udhëtonte me automjet së bashku me shtetasin A.F., 28 vjeç, ka tentuar të largohet duke rrezikuar jetën e efektivëve të Policisë.

Po sipas njoftimit, personi që e shoqëronte i ka drejtuar armën e zjarrit efektivëve, ndërsa shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë në kushtet e vetëmbrojtjes për neutralizimin e tyre.

Gjatë operacionit është plagosur Leonard Dema, i cili ndodhet nën kujdesin e mjekëve në Spitalin e Traumës.

Policia arrestoi në flagrancë edhe shtetasin A.F., ndërsa sekuestroi armën e zjarrit pistoletë që ai posedonte.

Operacioni u realizua pas shkëmbimit të informacioneve dhe koordinimit me partnerët ndërkombëtarë, në kuadër të operacioneve për kapjen e personave në kërkim.

Ndërkohë, hetimet vijojnë në bashkëpunim me AMP-në dhe nën drejtimin e Prokurorisë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.