Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka rrëzuar kërkesën e përfaqësuesve të Partisë Demokratike që çështja ndaj gjyqtares Irena Gjoka të shqyrtohej nga një gjykatë tjetër, si edhe kërkesën për përjashtimin e gjyqtares Marinela Osmani.
Kërkesa është paraqitur nga përfaqësuesit e PD-së, Adriana Kalaja dhe Jamarbër Malltezi, të cilët kanë argumentuar se Irena Gjoka nuk mund të gjykohet brenda të njëjtës gjykatë ku ajo ushtron detyrën si anëtare, duke kërkuar që çështja të kalojë në një gjykatë tjetër.
Gjyqtarja Rudina Palloj nuk ka konstatuar shkaqe ligjore për pranimin e kërkesës dhe ka vendosur rrëzimin e saj, duke theksuar se nuk plotësohen kushtet për ndryshimin e gjykatës apo përjashtimin e gjyqtares së çështjes.
Ndërkohë, seanca e radhës për çështjen ndaj Irena Gjokës është caktuar për më 19 maj, ndërsa Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka kërkuar pushimin e procedimit penal.
Çështja lidhet me kallëzimin e PD-së se gjyqtarja Gjoka ka fshehur në formularin e dekriminalizimit një dënim të dhënë më parë nga një gjykatë në Greqi. Sipas SPAK-ut, procesi në fjalë është zhvilluar në mungesë dhe nuk është provuar që Gjoka të ketë qenë në dijeni, ndërsa ndjekja penale për këtë rast rezulton e parashkruar.







