Bashkëkryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri, bëri të ditur këtë të enjte se zhvilloi një takim së bashku me kolegun Oerd Bylykbashi me një delegacion përfaqësuesish të Komisioni i Venecias.
Delegacioni përbëhej nga anëtarët Veronika Bilkova, Oliver Kask dhe Saša Zagorc, si edhe ekspertët e DGI-së, Yves-Marie Doublet dhe Laura Stefan.
Sipas Gjiknurit, gjatë takimit u diskutua mbi ecurinë e deritanishme të punës në Komisionin e Reformës Zgjedhore, ndërsa një fokus i veçantë iu kushtua projektligjit të ri për financimin e partive politike.
“Zhvilluam me ta një konsultim të gjerë rreth projektligjit të ri për financimin e partive politike”, u shpreh Gjiknuri, duke theksuar se nisma ndodhet aktualisht në fazën e konsultimit me grupet e interesit, shoqërinë civile dhe partnerët ndërkombëtarë.
Pas përmbylljes së konsultimeve, projektligji pritet të kalojë në procedurat parlamentare për miratim.










