Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka reaguar pas njoftimit të Rusisë ku u bëhet thirrje diplomatëve dhe qytetarëve të huaj të largohen nga Kievi përpara sulmeve të paralajmëruara.

Përmes një postimi në platformën X, Hoxha e cilësoi deklaratën e Moskës si “krejtësisht të papranueshme”, ndërsa theksoi se kërcënimi ndaj ambasadave nuk mund të konsiderohet diplomaci.

“Kërcënimi i ambasadave nuk është diplomaci; është intimidim. Ai përfaqëson një tjetër shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe të Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike”, shkroi ministri.

Hoxha nënvizoi se Shqipëria nuk do të tërhiqet nga Kievi dhe do të vijojë mbështetjen për Ukrainën.

“Shqipëria nuk do të tërhiqet. Ne mbetemi në Kiev. Ne qëndrojmë fort me Ukrainën. Dhe nuk do të intimidohemi”, u shpreh ai.

Ministri theksoi gjithashtu se zgjidhja e konfliktit nuk mund të vijë përmes përshkallëzimit të luftës apo sulmeve ndaj civilëve dhe infrastrukturës civile.

“E vetmja rrugë përpara është t’i jepet fund një lufte që nuk duhej të kishte filluar kurrë dhe angazhim në negociata të vërteta dhe me mirëbesim për paqe”, deklaroi Hoxha.

Sipas tij, ky qëndrim i është përcjellë edhe ambasadorit rus në Tiranë gjatë ditës së sotme.