Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi se është i gatshëm të presë vetëm “disa ditë” për përgjigjen e Iranit ndaj propozimit të fundit amerikan për përfundimin e luftës, duke paralajmëruar se situata mund të përshkallëzohet me shpejtësi nëse Teherani nuk jep “përgjigjet e duhura”.

Gjatë një deklarate për gazetarët në Konektikat, Trump tha se SHBA-ja është e përgatitur për çdo zhvillim.

“Më besoni, nëse nuk marrim përgjigjet e duhura, gjithçka mund të përshpejtohet. Ne të gjithë jemi gati”, u shpreh ai.

I pyetur se sa gjatë do të presë përgjigjen e Iranit, Trump u përgjigj: “Mund të jenë disa ditë, por gjithçka mund të ndodhë shumë shpejt”.

Më herët, gjatë ceremonisë së diplomimit në Akademinë e Rojës Bregdetare të SHBA-së, presidenti amerikan paralajmëroi se Uashingtoni mund të ndërmarrë sulme të tjera ndaj Iranit nëse negociatat dështojnë.

“I goditëm shumë fort. Mund të na duhet t’i godasim edhe më fort, por ndoshta jo”, deklaroi Trump, duke përsëritur se administrata e tij nuk do të lejojë Iranin të pajiset me armë bërthamore.

“Nuk do ta lejojmë Iranin të ketë armë bërthamore. Është shumë e thjeshtë”, tha ai.

Komentet e Trump erdhën pasi Ministria e Jashtme e Iran bëri të ditur se po shqyrton një propozim të ri amerikan, i cili raportohet se është dorëzuar përmes ndërmjetësve pakistanezë.