Nga Anthony Zurcher, BBC

Javët e fundit duken si një tur hakmarrjeje e Donald Trumpit, teksa ai po lan hesapet e vjetra me kritikët e tij brenda Partisë Republikane.

Quajeni si të doni, por tashmë provat janë dërrmuese se Partia Republikane është partia e Trumpit dhe asgjë – as një luftë jopopullore në Iran, as rënia e mbështetjes në sondazhe te publiku i gjerë, as rritja e çmimeve për konsumatorët, as shqetësimet për sallat miliardëshe të Shtëpisë së Bardhë – nuk e ka ndryshuar këtë.

Thomas Massie, kongresmeni me qendrime të pavarura nga Kentucky, u mund bindshëm të martën në garën paraprake republikane për të vendosur se kush do të përballet me demokratët në zgjedhjet e mesmandatit të nëntorit. Kandidati i mbështetur nga Trumpi, Ed Gallrein, po shkon drejt 55% të votave.

Massie, një kundërshtar i vazhdueshëm i Trumpit, është vetëm viktima më e fundit në një listë humbjesh politike që tashmë ka arritur në dyshifror. “Mëkatet” e tij ishin të shumta.

Ai kundërshtoi paketën fiskale të Trumpit për taksat dhe shpenzimet vitin e kaluar, duke thënë se ajo rriste deficitin federal. Ai votoi për të kufizuar operacionet ushtarake të presidentit në Venezuelë dhe Iran. Dhe, ndoshta më e rëndësishmja, ai ishte figura kryesore pas përpjekjeve në Dhomën e Përfaqësuesve për të detyruar publikimin e dosjeve të Departamentit të Drejtësisë mbi Jeffrey Epsteinin, financierin dhe shkelësin seksual famëkeq me lidhje me të pasurit dhe të fuqishmit.

Të gjitha këto e vendosën Massie-n në qendër të listës së armiqve të Trumpit – dhe çuan në një fushatë prej 20 milionë dollarësh për ta larguar nga posti në Kongres që ai mbante prej më shumë se një dekade.

“Trump tregoi edhe një herë fuqinë e tij në Partinë Republikane”, tha Trey Grayson, ish-sekretar republikan i shtetit në Kentucky për dy mandate.

Ai shtoi se Massie kishte krijuar armiq në politikën e shtetit – sepse nuk bashkëpunonte me drejtuesit lokalë të biznesit dhe neglizhonte punën e zakonshme legjislative në favor të përpjekjeve me jehonë publike. Por, në fund, sipas tij, gjithçka u reduktua në një tjetër demonstrim të kontrollit të hekurt të Trumpit mbi Partinë Republikane.

Gallrein, kundërshtari i zgjedhur nga Trumpi kundër Massie-t, bëri shumë pak fushatë. Ai refuzoi shumicën e debateve dhe forumeve publike. Në vend të kësaj, u mbështet te përkrahja e presidentit dhe miliona dollarët që ajo solli.

Kjo rezultoi e mjaftueshme – dhe gara nuk ishte aspak e ngushtë, pasi sfidanti fitoi me një diferencë dyshifrore.

Massie tani i bashkohet senatorit të Luizianës Bill Cassidy, i cili humbi ndaj një rivali të mbështetur nga Trumpi në zgjedhjet paraprake republikane të së shtunës, si edhe pesë prej shtatë ligjvënësve të shtetit të Indianës që presidenti kishte kundërshtuar javën e kaluar, në radhët e politikanëve që së shpejti do të mbeten pa poste.

Të martën e ardhshme, një tjetër senator në detyrë, John Cornyn nga Teksasi, mund t’u bashkohet atyre. Më herët të martën, ndërsa republikanët në Kentucky ende po votonin, Trumpi mbështeti kundërshtarin e tij, Prokurorin e Përgjithshëm të Teksasit Ken Paxton, në balotazhin e javës së ardhshme.

Ndryshe nga Massie, për çështjet Epstein dhe Iran, apo Cassidy, i cili votoi për ta dënuar Trumpin gjatë procesit të shkarkimit në vitin 2021, Cornyn nuk ishte shkëputur qartë nga Trumpi. Vetëm javën e kaluar, ai propozoi një ligj për t’i vendosur emrin e Trumpit një autostrade në Teksas.

Por kjo nuk pati rëndësi. Trumpi zgjodhi njeriun që e quajti “një luftëtar të vërtetë MAGA”, ndërsa Cornynin e përshkroi si “një njeri të mirë”, por jo mjaftueshëm mbështetës kur “kohët ishin të vështira”.

Mbështetja e minutës së fundit e Trumpit për Paxtonin i zuri në befasi senatorët republikanë – dhe shkaktoi edhe zemërim. Ndryshe nga Massie, i cili kishte pak aleatë në Kongres, Cornyn kishte qenë pjesë e drejtimit republikan në Senat. Ai kishte mbledhur shumë fonde për republikanët e tjerë dhe, pas më shumë se dy dekadash në Senat, kishte krijuar miqësi të forta.

“Nuk e kuptoj”, tha senatorja Susan Collins nga Maine. “John Cornyn është një senator i shkëlqyer dhe, sipas gjykimit tim, meritonte mbështetjen e presidentit.”

Gatishmëria e Trumpit për të sulmuar republikanët në detyrë mund të ketë edhe kosto. Sondazhet vazhdojnë të tregojnë pakënaqësi të thellë me mënyrën si ai po e menaxhon ekonominë, sidomos mes votuesve të pavarur. Republikanët besnikë që ai ka ndihmuar të fitojnë mund të mos jenë kandidatët më të mirë në nëntor për të bindur elektoratin më të gjerë.

Ekziston gjithashtu pyetja se çfarë do të bëjnë tani këta republikanë të mundur në muajt e tyre të fundit.

Më herët të martën, Cassidy votoi për herë të parë në mbështetje të një rezolute që kufizon autoritetin e Trumpit për të zhvilluar luftën me Iranin. Ai gjithashtu shprehu kundërshtimin ndaj dhënies së një miliard dollarëve për sigurinë e sallës së propozuar të Shtëpisë së Bardhë.

Massie gjithashtu mund t’ia vështirësojë jetën Trumpit në muajt e fundit të mandatit të tij.

Po shtohet numri i republikanëve në Senat që po largohen nga dhoma në fund të këtij viti – qoftë me dëshirë apo sepse humbën ndaj kandidatëve të mbështetur nga Trumpi. Ata mund t’ia bëjnë më të vështirë presidentit muajt e ardhshëm, ndërsa ai përpiqet të miratojë paketa të reja shpenzimesh apo të sigurojë miratimin e emërimeve të administratës së tij.

Kundërshtimi i tyre mund të nxjerrë më qartë në pah besnikërinë e republikanëve të zakonshëm ndaj Trumpit, duke u dhënë demokratëve një avantazh elektoral për të lidhur kundërshtarët e tyre në zgjedhjet e përgjithshme me një president gjithnjë e më jopopullor.

Trump po i largon gradualisht kritikët e tij nga Partia Republikane, por ata mund t’i lënë presidentit disa “dhurata lamtumire” gjatë daljes së tyre.