Një grup aktivistësh e familjarë e pritën Baki Goxhajn në aeroportin e Rinasit mes tyre dhe një izraelit me të cilin u përqafua mes lotësh.
Goxhaj u ndalua nga autoritetet izraelite në ujërat ndërkombëtare pjesë e flotiljes ‘Sumud’ e nisur për në Gaza me një mision humanitar. Për Report Tv, Baki Goxhaj rrëfeu torturat çnjerëzore nga ushtarët izraelitë, të cilët dhunonin në grup aktivistët.
Sipas tij, aktivistët në bord janë përballur me presion dhe dhunë fizike gjatë ndërhyrjes së forcave izraelite.
“Unë jam nga Vlora dhe vitet e fundit jam angazhuar si aktivist për çështjen palestineze, për t’i dhënë fund gjenocidit dhe për zgjidhjen e kësaj çështjeje që po zgjat prej 80 vitesh si një plagë e hapur në botën moderne. Organizata që merret me organizimin e flotiljes është online dhe ka hapur aplikime për t’u bërë pjesë e flotiljes. Edhe unë, pasi u informova, ndoqa procedurat për t’u bërë pjesë e saj. Rreth 10 ditë më parë u nisëm. Ne ishim në ujëra ndërkombëtare kur pamë disa anije të mëdha dhe dy skafe të fuqishëm që po afroheshin. Pavarësisht përpjekjeve për t’u larguar, nuk ishte e mundur. Duke u afruar, na kërcënuan dhe qëlluan me armë; nuk e di nëse ishin plumba të vërtetë.
Hipën në anije, na lidhën duart të gjithëve; mua më lidhën edhe sytë, sepse isha pak i zëshëm duke kërkuar të na lironin. Na morën zvarrë dhe na çuan në një anije të madhe të sajuar me kontejnerë, ku kemi qëndruar 2 ditë e 2 net si bagëti. Në anije kishim vetëm ujë për të pirë dhe bukë të thatë. Kam qenë aty dhe e kam parë me sytë e mi; kam dëgjuar një vajzë palestineze jo shumë larg meje që më pas u dhunua. E kam parë gjithë skenën”-, tha Goxhaj.










