Ministri i Infrastrukturës dhe i Energjisë, Enea Karakaçi gjatë një konference për shtyp ka komentuar situatën në kantierin e Aeroportit të Vlorës, ku punimet janë bllokuar prej 5-ditësh. Karakaçi është shprehur se Minisrtia e Infrastrukturës i ka ndjekur me shqetësim përplasjet dhe konfliktet mes dy kompanive private për ndërtimin e aeroportit të Vlorës. Ministri ka theksuar se situata është një konflikt mes dy palëve private.
Karakaçi shprehet se bllokimi i kantierit, konfliktet gjyqësore dhe shkeljet kontraktore kanë shkaktuar vonesa kritike dhe dëm reputacional ndaj projektit. Ai ka njoftuar se shteti do të shfrytëzojë të gjitha mjetet për respektimin e detyrimeve kontraktore.
Enea Karakaçi: Ministria e Infrastrukturës dhe e Energjisë ka ndjekur çdo fazë të procesit të ndërtimit të aeroportit të Vlorës me vëmendje të plotë dhe rigorozitet, në përputhje me kushtet e koncesionit dhe kuadrin ligjor shqiptar dhe ndërkombëtar. Të drejtat e të gjitha palëve janë respektuar. Sjellja e deritanishme e palëve zhvilluese, bllokimi i kantierit, konfliktet gjyqësore dhe shkeljet kontraktore kanë shkaktuar vonesa kritike dhe dëm reputacional ndaj projektit. Kjo sjellje nuk do të tolerohet dhe shteti do të shfrytëzojë të gjitha mjetet për respektimin e detyrimeve kontraktore. Do të ndërhyhet përmes klauzolave të kontratës që të hapet sa më shpejt. Ministria nuk është palë në konflikt dhe nuk ka interes të favorizojë asnjë palë. Konflikti që po pengon realizimin e aeroportit të Vlorës duhet të kuptohet se është, në thelb, një mosmarrëveshje e pastër civile dhe kontraktore mes dy palëve private.
Përplasjet në kantier filluan pasi punëtorët e kompanisë “2A”, nën drejtimin e Valon Ademit, kanë bllokuar hyrjen e punëtorëve të kompanisë së Behgjet Pacolli. Ndërsa përplasja mes ortakëve, Behgjet Pacolli dhe Valon Ademit ka nisur që në vjeshtën e vitit 2025 për administrimin e VIA-s, dhe ka qenë prej kohësh në qendër të debatit publik dhe mediatik. Pacolli zotëronte 98% të aksioneve, ndërsa Ademi 2%, por ky i fundit pretendonte se kishte marrëveshje dhe investime që e çonin në kuotën 49%.
Kompania ‘Macbo’ e Behgjet Pacollit, pretendon se Valon Ademi po mbështetet nga institucionet shtetërore dhe po bllokon punimet në kantier. Nga ana tjetër, Vlora International Airport njofton se kompania “Mabco” është përjashtuar nga projekti për shkak se nuk ka mbyllur punimet e terminalit në kohë.










