Në 35-vjetorin e gazetës “Koha Jonë”, kryeministri Edi Rama do të jetë përballë Nikoll Lesit në emisionin “Koha Jonë-Debat”, në një intervistë që pritet të sjellë dëshmi, kujtime dhe prapaskena nga një prej periudhave më të tensionuara të medias shqiptare.
Emisioni, që transmetohet në orën 20:00 në kanalin e “Koha Jonë” në YouTube, rikthen në vëmendje ngjarje të forta që kanë shënuar historinë e gazetës dhe të shtypit të lirë në Shqipëri, përfshirë djegien e redaksisë, dhunën ndaj gazetarëve dhe presionet politike që shoqëruan vitet e para të tranzicionit.
Në këtë intervistë, Rama flet për herë të parë edhe për një takim me Sali Berishën, në periudhën kur ky i fundit ishte President i Republikës, gjatë viteve 1992-1997. Përveç rrëfimeve mbi vitet e trazuara të medias dhe politikës, intervista pritet të ndalet edhe te zhvillimet aktuale brenda Partisë Socialiste dhe te figura të rëndësishme të saj. Lesi e pyet Ramën për marrëdhëniet brenda PS me Erion Braçen dhe Elisa Spiropalin, ku kryeministri jep një përgjigje të veçantë për këtë të fundit dhe shpreh vlerësim për Braçen.
Intervista vjen si pjesë e aktiviteteve dhe emisioneve të posaçme për 35-vjetorin e gazetës “Koha Jonë”, një prej mediave më të rëndësishme të viteve të para të pluralizmit në Shqipëri.








