Avokati Kujtim Cakrani ka rrëfyer në rrjete sociale momentin kur Ilir Meta mësoi lajmin për ndarjen nga jeta të babait të tij, Rexhep Meta, teksa ndodhej në ambientet e paraburgimit “Jordan Misja”. Në një video të postuar në rrjete sociale, avokati i ish-presidentit tregon se Metës iu mbushën sytë me lotë por e mbajti veten.

“Sot isha në ambientet e burgut Jordan Misja, duke biseduar me z.Meta dhe ndërsa diskutonim ai mori vesh lajmin që babai i tij kishte ndërruar jetë. Presidenti e mbati veten, por ishte një lajm i trishtë që të mësosh për vdekjen e njeriut të afërt në ambientet e paraburgimit. Shumë shqiptarëve u ndodh kjo por unë isha prezent kur presidenti e mori lajmin. Ka treguar një dinjitet dhe vetëpërmbajtje që unë e admiroj. Kjo ka qenë dita më e keqe” tha Cakrani në videon e postuar në Facebook

Rexhep Meta ndërroi jetë në moshën 83-vjeçare. Ai do të varroset të martën në Skrapar.