Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla deklaroi në Kuvend se fitorja më e madhe e protestave të fundit është fakti që ato kanë mbetur paqësore dhe janë zhvilluar pa dhunë.
Në replikë me opozitën, Balla u shpreh se protestuesit “ia kanë marrë sheshin” kreut të PD-së, duke e cilësuar atë si humbësin më të madh të këtyre tubimeve.
“Nëse ka një fitore të këtyre protestave është fakti që deri tani janë paqësore, pa molotovë, pa fishekzjarrë dhe pa dhunë. Mbi të gjitha, ia morën sheshin atij atje. Humbësi më i madh i këtyre protestave je ti, Sali”, tha Balla.
Deputeti socialist kritikoi gjithashtu përpjekjet e opozitës për t’u lidhur me protestat, duke pretenduar se nuk ka precedent në vendet europiane që deputetë të partive tradicionale të marrin pjesë në protesta të organizuara nga forca të tjera politike.
Balla komentoi edhe debatin për amendamentin 17 të raportit të Parlamentit Europian për Shqipërinë, duke akuzuar Partinë Demokratike se ka keqinformuar opinionin publik.
Sipas tij, Partia Popullore Europiane, ku bën pjesë PD-ja, ka votuar kundër amendamentit të propozuar nga eurodeputeti Thomas Waitz dhe grupi i të Gjelbërve, ndërsa socialistët europianë dhe Partia Socialiste e Shqipërisë e kanë mbështetur atë.
“Ne kemi votuar pro këtij amendamenti në Parlamentin Europian, ju keni votuar kundër. Kjo është e vërteta”, deklaroi Balla.
Replika e plotë:
Zonja e zotërinj deputetë, të dashur qytetarë shqiptarë, nëse ka një fitore të këtyre protestave është pikërisht fakti se këto protesta deri më tani janë paqësore, janë pa molotov, janë pa fishekzjarrë, janë pa dhunë, dhe mbi të gjitha, i morën sheshin atij atje.
Ia morën sheshin.
Të hënë për të hënë, me krushqit 40-50 veta, tani ata ta morën, ta morën Sali. Humbësi më i madh i këtyre protestave je ti, Sali.
Dhe gjithë kjo përpjekja, gjithë kjo përpjekja jote për të çuar punonjësit e SYRIT, për të çuar deputetët vjedhurazi atje atje, nuk ka asnjë rast në botë që të ketë një protestë kundër CDU-së, CSU-së, apo kundër SPD-së në Gjermani dhe nga AFD-ja. Dhe deputetët e CDU-së të shkojnë te një protestë e AFD-së. Megjithatë, ky është një krahasim që pak e kuptojnë këtu.
Sa i përket amendamentit 17, të propozuar nga Thomas Waitz dhe deputetët e tjerë të gjelbër, dëgjoje se ta kuptosh: ju për amendamentin 17 keni votuar kundër në Parlamentin Europian. Ju. Sepse Partia Popullore Europiane, në të cilën bëni pjesë, votoi kundra. Ju keni votuar kundra. Votoi— të lutem, se s’merr— s’ishte— ishte në avion ti kur është votuar. Dhe, dhe, dhe po ashtu, po ashtu, edhe Partia Konservatore, po ashtu dhe aleatja e një tjetri këtu. Kështu që ju lutem shumë, ju lutem, duhet të jeni seriozë: Partia Socialiste, Socialistët dhe Demokratët kanë votuar kundër.










