Suedia e ka nisur në mënyrë spektakolare aventurën e saj në Grupin F të Botërorit 2026, duke mposhtur me rezultatin e thellë 5-1 Tunizinë.

Skandinavët morën menjëherë kontrollin e ndeshjes falë Yasin Ayari, i cili realizoi një supergol nga distanca në minutën e 6-të. Mesfushori i Brighton-it nuk festoi golin për respekt ndaj Tunizisë, vendlindjes së babait të tij dhe kombëtares që mund të kishte përfaqësuar.

Pak para pushimit, Alexander Isak dyfishoi avantazhin. Pas një kombinimi me Viktor Gyökeres, sulmuesi suedez përshkoi metra të tëra me topin dhe finalizoi me saktësi për 2-0 në minutën e 40-të.

Tunizia u rikthye përkohësisht në lojë falë Omar Rekik, i cili shënoi me kokë në minutën e 43-të, duke ngushtuar diferencën në 2-1 para fundit të pjesës së parë.

Megjithatë, Suedia nuk lejoi surpriza. Në minutën e 59-të, ishte radha e Viktor Gyökeres të gjente rrugën e rrjetës, pas një asistimi të Isak, duke rikthyer diferencën prej dy golash.

Në minutën e 84-t, zëvendësuesi Mattias Svanberg realizoi vetëm 18 sekonda pasi hyri në fushë. Goli u anulua fillimisht për pozicion jashtë loje, por pas verifikimit të gjatë nga VAR-i u konfirmua si i rregullt.

Në sekondat e fundit të sfidës, Ayari vulosi paraqitjen e tij fantastike me një tjetër gol spektakolar nga distanca, duke i dhënë përmasa të thella fitores së suedezëve.