Forcat e Armatosura britanike kanë ndaluar një cisternë nafte të lidhur me të ashtuquajturën “flotë në hije” të Rusisë në Kanalin Anglez, në një operacion që zgjati gjashtë orë, gjatë orëve të para të së dielës.
Sipas kryeministrit britanik, Keir Starmer, operacioni u krye nga komandot e Marinës Mbretërore dhe oficerë të specializuar të Agjencisë Kombëtare të Krimit, me mbështetjen e Forcave Ajrore Mbretërore (RAF).
Anija, e identifikuar si Smyrtos, do të mbahet nën monitorim pranë bregdetit jugor të Anglisë, ndërsa vijojnë hetimet, njoftoi Ministria britanike e Mbrojtjes.
“Ky operacion i suksesshëm i jep një tjetër goditje Rusisë dhe u kujton atyre që financojnë luftën e Vladimir Putinit në Ukrainë se nuk do t’i lejojmë të fshihen”, deklaroi Starmer.
Edhe ministri britanik i Mbrojtjes, Dan Jarvis, tha se ndërhyrja prek drejtpërdrejt aftësinë e Moskës për të financuar luftën në Ukrainë.
“Rusia mbështetet te flota në hije për të financuar konfliktin në Ukrainë dhe ndërhyrja jonë përbën një goditje ndaj luftës së paligjshme të Putinit”, u shpreh ai.
Operacioni u mbështet nga avionë të Grupit Ajror Detar, një avion patrullues RAF P-8, si dhe nga anijet luftarake britanike HMS Sutherland dhe HMS Ledbury.
Sipas autoriteteve britanike, Rusia ka ngritur një rrjet prej më shumë se 700 anijesh me struktura të paqarta pronësie për të shmangur sanksionet ndërkombëtare ndaj eksporteve të saj të naftës. Kjo “flotë në hije” transporton rreth 75 për qind të naftës ruse të sanksionuar dhe konsiderohet një burim kyç financimi për Kremlinin.
Mbretëria e Bashkuar ka vendosur deri më tani sanksione ndaj më shumë se 500 anijeve të lidhura me këtë rrjet.










