Nga Hermes Kafexhiu

Jemi përballë 14 ditëve, të cilat kanë hedhur në publik lloj e lloj tezash, diskutimesh, shumë analiza të këtij lloji, të cilat në raport me historinë meritojnë kohë të dalësh në përfundim se nga erdhi apo kush e organizoi këtë protestë.

Megjithëse unë hyj tek ata që mendoj se protesta nuk është një organizim i mirëfilltë interesash, palësh e shumë si këto.

Unë kam qenë 14 ditë në protestë. E kam njohur nga afër gjithë organizimin e saj. Ajo që bie në sy është se lëvizja protestuese e quajtur si Revolucioni i Flamingove është pa një udhëheqës të identifikuar, edhe kjo po e bën atë në një farë mënyre të suksesshme.

Lëvizja ka një organizim tërësisht horizontal. Janë grupe të ndryshme që në një formë apo në një tjetër kanë gjetur lidhjen e disa kauzave të përbashkëta. Nga ana tjetër është një protestë e cila ka informacion të dominuar nga rrjetet sociale, çka e bën të kuptojmë se aty ka një brez tërësisht të ri që nuk ka asnjë lidhje me median tradicionale.

Kjo që sapo thashë nuk lë aspak shkak të kuptohet si një formë se rrjetet sociale janë dezinformuese, përkundrazi, kjo ka të bëjë me modelet që ata ndjekin dhe me faktin se që nga ky fakt tregohet se ata janë të rinj dhe protesta në tërësi ka një qasje të re.

Nga ana tjetër protesta duhet pranuar ka një masë shumë të madhe të mënjanuarish, është një revoltë e madhe të mënjanuarish.

Ajo që bie në sy është që ka shumë aktivistë që janë angazhuar me të majtën në Shqipëri, që nga Partia Socialiste, që nga organizatat me karakter të majtë në Shqipëri, që nga ata që kanë punuar në administratë, që nga ata që kanë shpresuar në mirëqeverisjen e Edi Ramës, e përtej këtyre ka dhe disa të mënjanuar të tjerë që janë dhe boshti kryesor i protestës, nëse do duan ta lexojnë si duhet, janë pikërisht ata që janë përjashtuar nga krimi, nga të fortët si model suksesi që kanë dominuar prej më shumë se 35 vitesh shoqërinë.

Ata punojnë në privat, punojnë në kompani, janë ata që kanë ndrydhur ndjenjën e fortë për dëshirën e madhe për kontribut politik, por që i kanë injoruar.

Janë ata që kanë refuzuar në masë katapultimin e pushtetit, prishjen e radhëve, janë ata që kanë dhënë ide dhe nuk ia ka marrë askush parasysh. Janë ata që kanë kritikuar dhe janë mënjanuar.

Ky është konglomerati kryesor i kësaj proteste. Këta janë ata që e bëjnë të qëndrueshme këtë protestë dhe duhen marrë seriozisht.

Janë ata që janë mënjanuar, janë ata që janë nënvlerësuar, janë ata që kanë besuar dhe janë zhgënjyer.

Ndaj kjo është një revoltë e madhe e të mënjanuarve të shoqërisë.