Italia ka kundërshtuar publikisht deklaratat e shefit të NATO-s, Mark Rutte, lidhur me përdorimin e bazave amerikane në territorin italian për operacionet ushtarake kundër Iranit.
Gjatë një interviste për Fox News, Rutte deklaroi se rreth 500 avionë amerikanë ishin ngritur nga bazat ushtarake në Itali për të mbështetur operacionin e SHBA-ve të quajtur “Epic Fury”, duke e përmendur Italinë si shembull të mbështetjes evropiane për Washington-in.
Deklarata shkaktoi reagime të menjëhershme në Romë, ku qeveria e kryeministres Giorgia Meloni ka përsëritur vazhdimisht se nuk ka autorizuar përdorimin e territorit italian për veprime të drejtpërdrejta ushtarake kundër Iranit.
Në një deklaratë zyrtare, ministri italian i Mbrojtjes, Guido Crosetto, theksoi se Italia ka vepruar në përputhje me Kushtetutën, traktatet ndërkombëtare dhe marrëveshjet që rregullojnë funksionimin e bazave aleate në territorin e saj.
“Siç është sqaruar edhe në Parlament, qeveria ka autorizuar ekskluzivisht aktivitete teknike dhe logjistike, jo aktivitete luftarake”, deklaroi Crosetto.
Ai shtoi se autoritetet italiane kanë refuzuar çdo kërkesë që tejkalonte këto kufij, duke nënvizuar se Italia nuk ka dhënë miratim për përdorimin e bazave të saj në operacione sulmuese kundër Iranit.










