Nga Hermes Kafexhiu
Në fakt, është për ta komentuar veprimin e saj. Vëmendjen e mori. Marjana Koçeku, deputetja e listës së socialistëve të Shkodrës, ka vendosur të dalë e pavarur dhe më tej akoma ajo është shprehur, pas disa kërkesave në rrjet nga disa përfaqësues të rinisë socialiste, që i kanë kërkuar lënien e mandatit, se ajo s’ia ka marrë askujt mandatin. Madje, Neomalsorja shkon edhe më tej, kushtëzon duke thënë se:
“Shpërndani Parlamentin, të dalim në zgjedhje dhe unë e marr mandatin në Tiranë dhe jo në Shkodër”.
Sfida e saj më shumë i ngjan një spektakli dhe ndoshta gjithë problemi i saj është se rezistencën e këtyre ditëve të qershorit e ka parë si një spektakël reels-ash, si një momentum ku do duhet të kapësh rrjetin që ajo prej kohësh e njeh mirë etj.
Në fakt, unë mendoj se Neomalsorja nuk e ka kuptuar lëvizjen qytetare në Tiranë dhe, për më tej, mendoj se Neomalsorja ka treguar se nuk ka në bazën e vet të formimit asnjë lidhje me socialistët.
Më shumë veprimi i saj është fëminor, emocional, gati një akt politik amatoresk për një vëmendje të kërkuar, ndërkohë që nuk e ka peshën e madhe të masës kritike.
Edhe ndaj vetë protestuesit nuk nguruan ta nxirrnin blof që ditën e parë.
Radikalizmi i saj tregon se ajo kërkoi vëmendje dhe nuk bëri një qëndrim qytetar, si shumë socialistë që janë aty në bulevard. Si unë, Blerta e shumë të tjerë që mbase s’kemi pasur mandat, po nuk i kemi dhënë pak Partisë Socialiste.
Duhet kuptuar se ka disa lloje socialistësh. Janë ata që besojnë te ajo fraza bardhezi që artikuloi Rama në mbledhjen e famshme me Spiropalin, pra që besojnë pavarësisht çdo kritike. Janë ata që e mendojnë partinë ndryshe e duan ndryshe, janë ata që ruajnë eminencën në parti, pra shohin vetëm anën pozitive pa marrë iniciativa, dhe janë edhe socialistët e mërzitur, ata që mendojnë se Rama del nga parimet për të cilat premtoi.
Neomalsorja nuk hyn te asnjë nga këta, sepse në fakt ajo nuk është socialiste. Ajo hyri në listë si një influencere për të qenë aty si një imazh që mund të përfaqësonte eminencën në listën e Shkodrës dhe u trumbetua në media vetëm për qasjen që kishte në publik. Një qasje që padyshim është identiteti i saj.
Po përtej kësaj duhet të kuptojmë se Neomalsorja hyri në listat e socialistëve, duke i zënë radhën shumë socialistëve të tjerë kontributorë, që mund ta përfaqësonin eminencën shumë herë më mirë, që i njihnin rrjetet sociale shumë e shumë herë më mirë nga ajo, socialistë që do të shkonin në Theth pa u trumbetuar në publik dhe do të flisnin me banorët, socialistë që do të mbanin qëndrime publike që nuk do t’i përkisnin linjës së kryetarit, por do të ruanin linjën e fanellës, socialistë të cilët kanë folur brenda prej vitesh për atë çka nuk shkon dhe kanë mbajtur qëndrime mbi të cilat kanë ruajtur identitetin kritik të organizatës.
Vetëm për këtë arsye Neomalsorja do duhej ta linte mandatin, sepse ajo nuk e ka peshën të përfaqësojë masën e socialistëve kritikë që janë në bulevard këto ditë, por nuk hidhen në skenë për protagonizëm politik, për të treguar gjeste të mëdha.
Akti i tyre i pjesëmarrjes është shembulli i fortë përballë Edi Ramës, që teksa i shikon mendon se mes veti ka pasur ca njerëz që do duhej t’i shikonte ndryshe, ashtu siç do duhej të shikonte edhe partinë e tij.









