Parlamenti Europian miratoi këtë të mërkurë raportin për Shqipërinë, duke mbështetur një amendament që shpreh shqetësime për ndikimin e ligjit të investimeve strategjike dhe ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura, por duke rrëzuar një version më të ashpër që përfshinte referenca të drejtpërdrejta për projektin turistik në Sazan dhe zonën e mbrojtur Vjosë-Nartë.
Amendamenti i miratuar nga eurodeputetët shpreh “keqardhje të thellë” për zgjatjen e Ligjit për Investimet Strategjike të vitit 2015, duke argumentuar se dispozitat e tij mundësojnë procedura të përshpejtuara për dhënien e lejeve dhe reduktojnë kontrollin mjedisor, duke krijuar rrezik për zonat e mbrojtura dhe territore të tjera me ndjeshmëri të lartë ekologjike.
Teksti i miratuar:
“Shpreh keqardhje të thellë për zgjatjen e vlefshmërisë së Ligjit për Investimet Strategjike të vitit 2015 në Shqipëri, për shkak të dispozitave që parashikojnë procedura të përshpejtuara autorizimi dhe një nivel më të ulët vlerësimi mjedisor, duke rrezikuar pasoja negative për zonat e mbrojtura dhe zona të tjera me ndjeshmëri të lartë mjedisore; kërkon shfuqizimin e amendamenteve të vitit 2024 në Ligjin për Zonat e Mbrojtura, të cilat mundësojnë ndërtimin e infrastrukturës turistike në shkallë të gjerë brenda këtyre zonave dhe transferojnë kompetenca thelbësore të qeverisjes dhe vendimmarrjes te Këshilli Kombëtar i Territorit, duke dobësuar mekanizmat e mbikëqyrjes mjedisore.”
Në të njëjtën kohë, teksti i miratuar kërkon shfuqizimin e ndryshimeve të vitit 2024 në Ligjin për Zonat e Mbrojtura, pasi sipas Parlamentit Europian ato lejojnë zhvillimin e infrastrukturës turistike në shkallë të gjerë brenda zonave të mbrojtura dhe transferojnë kompetenca të rëndësishme vendimmarrëse te Këshilli Kombëtar i Territorit, duke dobësuar mbikëqyrjen dhe kontrollin mjedisor.
Megjithatë, eurodeputetët nuk mbështetën amendamentin alternativ, i cili përmbante referenca shumë më specifike lidhur me projekte konkrete dhe zhvillime të fundit në Shqipëri.
Amendamenti i rrëzuar përveç kritikave ndaj ligjit të investimeve strategjike dhe ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, shprehte shqetësim edhe për marrëveshjen e qeverisë shqiptare me kompaninë e Jared Kushner, Affinity Partners, për zhvillimin e një projekti turistik luksoz në ishullin e Sazanit dhe në zonën e mbrojtur Vjosë-Nartë.
Teksti i rrëzuar:
“Shpreh keqardhje të thellë për faktin se Ligji i vitit 2015 i Shqipërisë për Investimet Strategjike është zgjatur, duke pasur parasysh dispozitat e tij që mundësojnë procedura të përshpejtuara të lejeve dhe shqyrtim të reduktuar mjedisor, të cilat rrezikojnë të ndikojnë negativisht në zonat e mbrojtura dhe zona të tjera të ndjeshme mjedisore; bën thirrje për shfuqizimin e ndryshimeve të vitit 2024 në Ligjin për Zonat e Mbrojtura, të cilat lejojnë zhvillimin e infrastrukturës turistike në shkallë të gjerë brenda zonave të mbrojtura dhe transferojnë kompetencat kryesore të qeverisjes dhe vendimmarrjes te Këshilli Kombëtar i Territorit, duke dobësuar kështu mbikëqyrjen mjedisore; shpreh shqetësime, pra, në lidhje me marrëveshjen e qeverisë me kompaninë e Jared Kushner, Affinity Partners, për të zhvilluar një projekt turistik luksoz në Sazan dhe në zonën e mbrojtur të Vjosës-Nartës; bën thirrje për mbështetje për hetimin antikorrupsion që aktualisht drejtohet nga SPAK në këtë kontekst; bën thirrje që e drejta për të protestuar në mënyrë paqësore të garantohet kundër shtypjes nga kompanitë private të sigurisë, si gjatë përplasjeve që ndodhën në fund të majit 2026.”
Po ashtu, teksti i rrëzuar bënte thirrje për mbështetje ndaj hetimit antikorrupsion që po zhvillohet nga SPAK në këtë kontekst, si dhe kërkonte garantimin e së drejtës për protestë paqësore, duke përmendur përplasjet e ndodhura në fund të muajit maj 2026 mes protestuesve dhe kompanive private të sigurisë, shprehet në
Votimi në Parlamentin Europian tregon se shumica e eurodeputetëve zgjodhën të ruajnë një formulim më të përgjithshëm mbi shqetësimet mjedisore dhe ligjore që lidhen me investimet strategjike në Shqipëri, pa përfshirë referenca të drejtpërdrejta ndaj projektit të Sazanit, Affinity Partners, hetimeve të SPAK-ut apo incidenteve të fundit të protestave.
Në praktikë, kjo do të thotë se kritikat e Parlamentit Europian ndaj kuadrit ligjor që rregullon investimet strategjike dhe menaxhimin e zonave të mbrojtura mbeten pjesë e raportit për Shqipërinë, ndërsa akuzat dhe shqetësimet që lidhen konkretisht me projektin e Sazanit dhe zhvillimet e fundit rreth tij nuk u përfshinë në tekstin përfundimtar të miratuar.









