Policia e Shtetit ka finalizuar ekstradimin nga Emiratet e Bashkuara Arabe të gjashtë shtetasve shqiptarë të arrestuar në Dubai, të cilët akuzohen për përfshirje në veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve, krimeve kompjuterike dhe pastrimit të produkteve të veprimtarisë kriminale.

Sipas njoftimit zyrtar, operacioni u realizua në kuadër të bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Departamentit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe autoriteteve ligjzbatuese të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Të ekstraduarit janë:

K. Q., alias J. H., alias J. Q., 44 vjeç;
Sh. K., 44 vjeç;
A. P., alias Sh. P., 38 vjeç;
D. P., alias E. S., alias D. B., alias F. P., 39 vjeç.

Sipas autoriteteve, këta shtetas akuzohen për veprimtari në fushën e narkotikëve dhe/ose pastrim të produkteve të veprimtarisë kriminale, të kryera në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.

Po ashtu, është ekstraduar edhe shtetasi I. L., alias I. S., 30 vjeç, i akuzuar për pastrim të produkteve të veprimtarisë kriminale në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Në mesin e të ekstraduarve është edhe M. C., 34 vjeç, ndaj të cilit rëndon akuza për mashtrim kompjuterik, të kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Policia e Shtetit thekson se mbetet e angazhuar në forcimin e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë për lokalizimin, arrestimin dhe ekstradimin e personave në kërkim ndërkombëtar, me qëllim përballjen e tyre me drejtësinë.