Mbrojtësi i Olympique Marseille, Leonardo Balerdi, është larguar nga grumbullimi i kombëtares së Argjentinës pasi ka pësuar një dëmtim muskulor në soleusin e këmbës së djathtë, ka njoftuar Federata Argjentinase e Futbollit (AFA).

Sipas njoftimit zyrtar, lojtari nuk do të jetë pjesë e listës përfundimtare për Kupën e Botës, ndërsa zëvendësuesi i tij do të përcaktohet pas fundjavës, nga lista paraprake e trajnerit Lionel Scaloni.

Balerdi kishte shfaqur shqetësime muskulore edhe më herët dhe dëmtimi është përkeqësuar gjatë stërvitjes së fundit, përpara miqësores së Argjentinës ndaj Hondurasit në Teksas.

Stafi teknik ka vendosur të mos rrezikojë gjendjen e tij fizike, duke e lënë jashtë skuadrës për turneun, ndërsa disa lojtarë të tjerë vazhdojnë rikuperimin nga dëmtime të ndryshme. Argjentina vijon përgatitjet për ndeshjet miqësore dhe për Botërorin, ku synon mbrojtjen e titullit kampion bote.