Një mbledhje kjo e thirrur vetëm 4 ditë pas grupit të zgjeruar të PS, për të adresuar sërish protestat në bulevard dhe kundërshtimet ndaj investimit në Zvërnec e Sazan.
Në 1 orë mbledhje me dyer të mbyllura në PS, Rama u kërkoi drejtuesve politikë të angazhohen në dy fronte.
E para, çdo deputet të jetë më shumë aktiv në rrjetet sociale. Sipas porosisë së Ramës, askush s’mund të qëndrojë indiferent në këtë luftë digjitale dhe si deputetët, edhe kryebashkiakët duhet të jenë aktivë online për të thyer algoritmin negativ të sponsorizuar nga armiqtë e Shqipërisë në rrjetet sociale.
E dyta, deputetët duhet të jenë aktivë në terren. Të takojnë qytetarët, të dëgjojnë shqetësimet e tyre dhe po ashtu të mbajnë hapur zyrat e deputetëve në qarqe për të dëgjuar çdo qytetar që ka kërkesa apo ankesa.
Deklarata e luftës digjitale nga kryeministri Edi Rama vjen kur, pas 3 javësh, protesta bëhet modeste në bulevard, por vazhdon e ashpër në formë dixhitale.
Por edhe pasi dy ish-ministra të jashtëm socialistë, Elisa Spiropali dhe Ditmir Bushati, i janë bashkuar protestës së bulevardit, së bashku me deputeten malësore Marjana Koçeku, e cila u largua nga PS. Edhe këta pjesë e luftës digjitale kundër Ramës dhe Zvërnecit, me statuse në rrjetet sociale.
Edhe ky takim i kryeministrit Edi Rama erdhi në një moment kur PS po adreson kundërshtimet ndaj investimeve në Zvërnec e Sazan, të cilat që në krye të herës Rama i ka konsideruar një luftë hibride online, nxitur kryesisht si histeri ndaj Donald Trump dhe dhëndrit të tij, Jared Kushner, dezinformim nga shtete armiqësore si Irani apo shtete konkurrente, apo dhe aktorë e kundërshtarë politikë nga Shqipëria, Kosova apo Maqedonia e Veriut.










