Në zonën e Valiasit, bashkia Kamëz, po punohet për ndërtimin e nënstacionit të ri elektrik. Nënstacioni i vjetër, i ndërtuar në vitin ’68 dhe me kapacitete të ulëta nuk i përgjigjet më kërkesës gjithmonë e në rritje të furnizimit me energji elektrike të zonës.
Projekti që po zbatohet, falë bashkëpunimit edhe me qeverinë gjermane, parashikon ndërtimin dhe vendosjen në punë të plotë të nënstacionit të ri elektrik, si dhe ndërtimin e dy fiderave të rinj 20 kV. Ky investim do të realizohet me teknologji moderne dhe kapacitete të mjaftueshme për të garantuar furnizim të sigurt dhe cilësor me energji elektrike për zonat e përfshira në rrjetin e ri 20 kV.
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, së bashku me administratorin e OSSH, Blendian Dalipi dhe ambasadorin gjerman në Tiranë, Karl Bergner inspektuan ecurinë e punimeve ku deri më tani janë realizuar afro 40% e tyre.
“Këtu kemi kaluar në një nivel krejt tjetër, jemi në nivelin 110/20, që do të thotë më shumë kapacitete për të përballuar këtë fluks të jashtëzakonshëm që ka marrë gjithë kjo zonë si pasojë e zhvillimeve urbane. Aq më tepër që do të kalojmë dhe në një nivel tjetër që garanton dhe parametra teknikë të kënaqshëm të furnizimit me energji të të gjithë zonës. Nga ky nënstacion do të furnizohen afërsisht 5 mijë abonentë. Janë abonentë që përfshijnë zonën e Kamzës, Paskuqanit, Laknasit, Çekrezit”, u shpreh Dalipi.
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi tha se ndërtimi i nënstacionit të ri elektrik në Kamzës është ndër projektet shumë të mira që OSHEE ka në bashkëpunim me qeverinë gjermane në sektorin energjetik. Ky bashkëpunimi parashikon një sërë investimesh që nisim me dixhitalizimin e nënstacioneve dhe aplikimin e sistemit SCADA, si dhe rehabilitimin e rreth 12 nënstacioneve.
“Ky është një projekt mjaft i rëndësishëm përsa i përket sektorit të shpërndarjes, dhe bashkëpunimi me qeverinë gjermane dhe me ambasadën gjermane ka qenë i shkëlqyer dhe që na ka çuar që tani të jemi në një fazë të avancuar për ndërtimin e këtij nënstacioni. Një element shumë i rëndësishëm që doja të theksoja është edhe fakti që të gjitha investimet në sektorin elektroenergjetik në Shqipëri dhe Qeveria Shqiptare është kujdesur për këtë, kanë një impakt jashtëzakonisht shumë të rëndësishëm përsa i përket edhe çështjeve mjedisore. Çdo nënstacion i ri që ne zhvillojmë është më shumë kapacitete për energji të rinovueshme”, deklaroi Karakaçi.
Nga ana e tij, edhe ambasadori Bergner vlerësoi bashkëpunimin shumë të mirë me palën shqiptare për këto projekte të rëndësishme.
Punimet për ndërtimin e nënstacionit të ri elektrik të Kazmës parashikohet të përfundojnë në mars të vitit të ardhshëm, disa muaj para afatit të kontratës.










