Sali Berisha ka shprehur sërish shqetësimin e tij për dosjen “Aruba”, por jo për personazhet kryesorë që SPAK ka përfshirë në hetim. Në deklaratën e tij, kreu i Partisë Demokratike e ka përqendruar sulmin tek kreu i SPAK-ut, Altin Dumani, duke pretenduar se po fshihet identiteti i një qeveritari që ka marrë pjesë në takimet e zhvilluara në Aruba.
Berisha kërkoi që Komisioni i Ligjeve të thërrasë prokurorët për të dhënë llogari, duke e cilësuar fshehjen e emrit të këtij qeveritari si provë të ekzistencës së një “narkoshteti”. Sipas tij, interesi publik duhet të përqendrohet tek zyrtari që dyshohet se ka negociuar me grupe kriminale dhe jo vetëm tek trafikantët apo biznesmenët e përfshirë në dosje.
Megjithatë, në të gjithë deklaratën e tij, Berisha nuk përmendi asnjë nga emrat që kanë dominuar dosjen e Arubës dhe operacionet e fundit të SPAK-ut. Nuk pati asnjë referencë për Ilir Shtufin, Artur Shehun apo biznesmenë të tjerë që janë përfolur në kuadër të hetimeve dhe që kanë qenë në qendër të raportimeve publike.
Në vend të kësaj, kreu i opozitës zgjodhi të sulmojë prokurorët, duke i akuzuar se nuk po hetojnë deri në fund lidhjet politike të çështjes. Kjo ka ngritur pikëpyetje mbi faktin se përse Berisha shmang emrat konkretë të personave që SPAK po heton, ndërsa rezervon kritikat më të forta për Altin Dumanin dhe institucionin që drejton.
Për më tepër, Berisha përdori dosjen “Aruba” edhe për të rikthyer një nga argumentet e tij të vjetra politike, duke pretenduar se gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike nuk u lejua ndërtimi i asnjë kulle dhe se fenomeni i kullave është produkt i qeverisjes së Edi Ramës. Por edhe në këtë rast, vëmendja e tij mbeti tek përplasja politike me qeverinë dhe SPAK-un, ndërsa emrat konkretë të personave që kanë dalë në hetime mbetën jashtë deklaratës së tij.
Kështu, ndërsa Berisha kërkon me ngulm zbulimin e “qeveritarit të Arubës”, ai vetë duket se e ka po aq të vështirë të përmendë emrat e aktorëve që deri tani kanë dalë në dritë nga hetimet.









