Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, ka njoftuar një fitore të rëndësishme për qeverinë e saj, pas miratimit nga Parlamenti Europian të rregullores së re për riatdhesimet.
Në reagimin e saj në rrjete sociale, Meloni theksoi se kjo rregullore legjitimon qasjen italiane, duke përfshirë mundësinë e hapjes së qendrave të riatdhesimit në vende të treta, një praktikë që ajo e identifikoi si ndjekje të rrugës së hapur nga protokolli me Shqipërinë.
Kryeministrja e vlerësoi këtë zhvillim si një zgjidhje inovative që u ka bërë ballë kundërshtimeve të së majtës, duke e shndërruar tani modelin italian në një instrument në dispozicion të gjithë shteteve anëtare të BE-së.
“Sot Italia ka arritur një sukses të madh në Evropë. Parlamenti Evropian ka miratuar rregulloren e re evropiane për riatdhesimet. Një masë historike, fryt kryesisht i punës së qeverisë italiane, e cila na lejon të riatdhesojmë shpejt ata që nuk kanë të drejtë të qëndrojnë në Bashkimin Evropian.
Rregullorja parashikon, ndër të tjera, edhe mundësinë e hapjes së qendrave të riatdhesimit në vende të treta. Pra, de fakto, duke ndjekur rrugën e hapur nga qeveria italiane me protokollin me Shqipërinë. Një zgjidhje inovative, të cilën e majta italiane dhe ajo evropiane u përpoqën ta kundërshtonin në çdo mënyrë, por që falë kësaj qeverie është bërë sot një instrument në dispozicion të mbarë Evropës.
Të mbrojmë kufijtë, të ulim drastikisht zbarkimet, të luftojmë trafikantët e qenieve njerëzore, të riatdhesojmë menjëherë ata që nuk kanë të drejtë të qëndrojnë te ne. U kishim premtuar italianëve se do të ndryshonim Evropën dhe e bëmë këtë me guxim, me durim, me vendosmëri, sepse busulla jonë është e qartë: të respektojmë pikë për pikë programin e votuar nga qytetarët. Nuk do të ndalemi, do të ecim përpara kështu”, u shpreh Meloni.









