Kryeministri Edi Rama ndodhet në Rinas në ceremoninë inauguruese të fluturimit të parë Tiranë – Toronto. Një tjetër urë lidhëse mes Shqipërisë dhe Kanadasë, që afron më shumë qytetarët, bizneset dhe komunitetin shqiptar përtej Atlantikut.
Rama deklaroi se objektivi strategjik i qeverisë mbetet vendosja e një linje direkte ajrore mes Shqipërisë dhe SHBA, duke theksuar se tashmë është shënuar përparim në këtë drejtim.
Sipas tij, në vitin 2016 aeroporti regjistronte vetëm 22 mijë fluturime në vit, ndërsa më pak se një dekadë më vonë numri i pasagjerëve ka arritur në 13.7 milionë. Rama shtoi se parashikimet janë që në fund të kësaj dekade aeroporti të kalojë shifrën e 100 mijë fluturimeve në vit.
Rama bëri të ditur se do të vendosen porta digjitale, të cilat do t’u mundësojnë qytetarëve shqiptarë me pasaportë biometrike shqiptare të hyjnë në aeroport pa kontrollet tradicionale, duke e bërë procesin më të shpejtë dhe më të lehtë.
“Linja juaj do të jetë shumë e suksesshme. Objektivi ynë strategjik është që së shpejti të kemi linjën direkte me SHBA. Edhe në raport me këtë objektiv është bërë një përparim. Të dhënat e aeroportit të Tiranës janë të jashtëzakonshme. Mban vendin e parë në Europë për rritjen e numrit të pasagjerëve. Mjafton shifra e ndryshuar e 9 viteve, nga 2016-2025, për të kuptuar çfarë rritje marramendëse ka ndodhur me aeroportin e Tiranës.
Në vitin 2016, kur nisi një fazë e re në punën e përbashkët për transformimin e mëtejshëm të aeroportit, kishte vetëm 22 mijë fluturime në vit; më pak se 10 vite më vonë numri i pasagjerëve arriti në 13.7 milionë. Ne e parashikojmë të kalojë në mbi 100 mijë fluturime në fund të kësaj dekade.
Nuk është vetëm rritja e numrit të pasagjerëve, por edhe përmirësimi i cilësisë së shërbimit. Është një ndër aeroportet e para që ka hedhur hapin e kalimit të digjitalizuar, ndërkohë që së shpejti po këtu ne do të hapim një kapitull të ri të transformimit digjital të aeroportit.
Kapitullin e portave digjitale, që do të jenë porta ku do të hyhet pa asnjë kontroll nëse je shqiptar dhe ke një pasaportë biometrike shqiptare. Për të gjithë pasagjerët shqiptarë që hyjnë në aeroportin e Rinasit, të jetë hyrje si në shtëpinë e tyre.”










