Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka reaguar pas kritikave të opozitës për mungesën e saj në samitin BE-Ballkani në Mal të Zi, duke i cilësuar sulmet si “polemika qesharake nga një e majtë e dëshpëruar”.

Në një prononcim për Corriere della Sera, Meloni mohoi çdo prapaskenë politike pas vendimit për të mos marrë pjesë në takim. Sipas saj, ceremonia për festën e Karabinierëve në Reggio Calabria zgjati më shumë se sa ishte parashikuar dhe nuk kishte kuptim të udhëtonte drejt Malit të Zi për të qëndruar aty vetëm për një orë.

Nuk ka asnjë dietrologji pas kësaj zgjedhjeje. U vonova në festën e Karabinierëve dhe nuk më dukej e arsyeshme të shkoja në Mal të Zi për të qëndruar maksimumi një orë. Të gjithë liderët mungojnë herë pas here në samite, por duket se vetëm për mua shpërthejnë polemika të tilla”, tha ajo.

Meloni theksoi se Italia mbetet një nga mbështetëset kryesore të integrimit të Ballkanit në Bashkimin Europian dhe se gëzon marrëdhënie shumë të mira me liderët e rajonit. Ajo bëri të ditur se kishte njoftuar paraprakisht presidentin e Këshillit Europian, António Costa, si dhe kryeministrin malazez Milojko Spajiç, me të cilin pritet të takohet së shpejti.

Debati është lidhur edhe me mungesën e Italisë në tryezën e vendeve të përfshira në përpjekjet diplomatike për paqen mes Rusisë dhe Ukrainës. Ndërsa Franca, Britania e Madhe dhe Gjermania do të takohen në Londër me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, Roma ka zgjedhur të mbajë një rol vëzhgues dhe mbështetës.

Qeveria italiane ka shprehur gjithashtu rezerva për një anëtarësim të shpejtë të Ukrainës në BE. Ministrat Guido Crosetto dhe Antonio Tajani kanë deklaruar se hyrja e Kievit është ende e parakohshme dhe se prioritet duhet të mbetet integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Në javët e fundit, Italia ka mbajtur një qëndrim disi më të kujdesshëm se disa partnerë europianë, ndërsa po përpiqet njëkohësisht të forcojë kontaktet me administratën amerikane. Në këtë kuadër, ministri i Mbrojtjes Guido Crosetto pritet të udhëtojë në Uashington për një takim me homologun amerikan Pete Hegseth.