Kryeministri Edi Rama këtë të enjte ka shpërndarë në “Facebook” një mesazh nga një qytetari nga Vlora i cili i bën thirrje të mos e çojë ndërmend dorëheqjen pas thirrjeve prej disa ditësh të protestuesve që mblidhen para Kryeministrisë.

Rama shkruan se ka marrë shumë mesazhe të cilat nuk ka arritur t’iu përgjigjet teksa theksoi se ai dhe PS-në nuk ka forcë që i dal. Ai thekson se misioni është rruga e Shqipërisë 2030 në Bashkimin Europian. Rama gjithashtu ka postuar mesazhin e gjatë të qytetarit për kryeministrin.

Postimi i plotë:

MIRËMËNGJES dhe me këtë mesazh nga qindra që jo të gjithë kam mundur t’i lexoj, duke e falenderuar secilin e secilën me ndjesën për mospërgjigjen, si edhe duke i siguruar të tërë se nuk ka forcë që na ndal, mua, ju, Partinë Socialiste e çdo qytetar pa parti që beson tek unë, në misionin tonë drejt Shqipërisë 2030 në Bashkimin Europian, por po ashtu se nuk ka gjëkundi brenda meje asnjë iluzion për shumëçka kërkon ende korrigjim me punë këmbëngulëse, ju uroj një ditë të mbarë

Mirëmbrëma Zoti Kryeministër, Do të jeni duke pyetur veten se kush jam dhe si e kam gjetur numrin tuaj… kjo nuk ka rëndësi, ose më saktë, ka shumë më tepër rëndësi mesazhi që dua t’ju përcjell. Më pas, nëse do të dëshironit të më njihnit, do të ishte kënaqësi e madhe për mua.

Mos e çoni as ndërmend (në Itali themi “Nemmeno Per Scherzo”) të jepni dorëheqjen!

Ju dhe Partia Socialiste keni qenë ata që në vitet e fundit keni punuar për një vizion që ne të rinjve të lindur dhe/ose të rritur jashtë shtetit po na bën të ëndërrojmë. Po, po na bëni të ëndërrojmë të shpërngulemi në vendin tonë të origjinës për të ardhur të jetojmë dhe të punojmë, dhe nuk dua që kjo ëndërr të fiket pikërisht tani kur duket se është shumë afër realizimit!

Në Tiranë mund të mblidhen qindra mijëra qytetarë çdo mbrëmje dhe të protestojnë deri në pafundësi… por duhet ta dini se ju keni një mbështetje të fortë nga ata që jetojnë dhe punojnë me ndershmëri, njerëz si unë dhe familja ime! Që nuk kanë kohë as të rrinë në Tik Tok dhe të krijojnë fake neës me Inteligjencë Artificiale, por as që t’ju tregojnë se sa shumë ju mbështesim si kryeministër, sepse ndryshe nga ata që kalojnë ditët nëpër kafe, në TikTok, duke xhiruar gomat vërdallë pa kuptim me makina me xhama të zinj dhe duke u mbledhur në qendër të Tiranës çdo mbrëmje për t’u ndjerë të rëndësishëm dhe të përfshirë në diçka (edhe pse janë ata që, vetëm për të mos bërë sforcime, përjashtojnë veten nga një jetë ambicioze), ne kemi një jetë dhe ambicie për të çuar përpara.

Unë dhe familja ime jemi nga Vlora, shumë afër aeroportit të ri dhe zonës së resortit të ri. Për këtë të fundit, sinqerisht, vlerësojmë shumë më tepër realizimin e tij sesa të vetë aeroportit.

Mund t’ju bëja një listë të gjërave me të cilat jam pro dhe kundër, por dua ta shfrytëzoj këtë moment për t’ju dhënë disa këshilla se si të hiqni një njollë që interneti dhe njerëzit injorantë ju kanë vënë përsipër në këtë moment… domethënë që ju jeni kryeministri që po shet Shqipërinë.

Duhet të ndryshoni metodën e komunikimit, sidomos sepse keni edhe kundërshtarë në politikë që përdorin fraza klishe për të manipuluar qytetarët, dhe është shumë e lehtë të manipulosh shqiptarët, fatkeqësisht…

Kush punon dhe kush informohet se si funksionon menaxhimi i një shteti dhe i investimeve, e di që nuk është kështu. E di që ju nuk po shitni asgjë!

Kush e di se çfarë është një Resort, e di që nuk është një Hotel! Një Resort është një kompleks qendrash sportive, hotelesh, spitalesh, atraksionesh e të tjera. Dhe unë shpresoj që projekti të jetë i tillë, pra jo vetëm hotele luksi. Shpresoj të shoh aty në Vlorë atë që në Mynih të Gjermanisë është “Olimpiapark”, një Olimpiapark tonin buzë detit, diçka që Europa dhe mbarë bota të na e kenë zili.

Puna që bëj në Itali është një punë që mesatarisht paguhet 1600 € në muaj, por unë marr madje 3 herë më shumë, dhe e dini pse? Sepse njerëzit për të cilët e bëj janë njerëz që shpenzojnë!

Turizmi i masës ka ndihmuar popullsinë të transformojë shtëpitë e tyre në hotele dhe apartamente me qera, dhe ata njerëz e dinë mirë se kur ngjitesh në nivel, kalon në një turizëm më të pakët në numër por që shpenzon më shumë, pra më pak punë dhe më shumë fitim!

Por që të vijnë ata njerëz atje, duhet t’u ofrohen shumë shërbime, askush nuk shkon në një destinacion që rreth e rrotull nuk ka asgjë.

Duhet përdorur komunikimi për të riedukuar popullatën! Te henen u ktheva nga Shqipëria pas 2 javësh pushime dhe për herë të parë në jetën time mendova: do të dëshiroja të provoja të jetoja dhe të punoja këtu.

Pse nuk e bëj? Çfarë më mban larg? Stili i jetesës! Dhe jo, nuk po flas për komoditetet, tani nuk mungon pothuajse asgjë, puna që keni bërë në këto vite po e çon vendin në të njëjtin nivel me vendet e BE-së.

Stili im i jetesës pengohet nga vetë njerëzit shqiptarë. Me stil jetese nënkuptoj të mund të dal për vrap pa frikën se do të më shtypë makina, pasi siç e dini më mirë se unë, kodin rrugor e zbatojnë pak njerëz.

Me stil jetese nënkuptoj të mos ndjej erë plehrash të djegura vërdallë dhe të shoh njerëz që bëjnë riciklimin e mbetjeve. Sepse deri tani shoh vetëm njerëz që hedhin plehrat nga dritarja e makinës dhe askush nuk u thotë gjë, e mbi të gjitha nuk mund t’u thuash gjë sepse rrezikon të sulmohesh verbalisht dhe fizikisht, e më pas të sulmohesh edhe nga forcat e rendit nëse shkon për të bërë denoncim.

Me stil jetese nënkuptoj të hyj në spital dhe të mos humbas radhën për faj të dikujt që paguan për t’u ndjekur nga mjekët, ndonëse me patologji më pak të rënda.

Korrupsioni është problemi i parë i këtij vendi, por kush e ka ndërgjegjen e pastër, e di që njerëzit që korruptohen nuk janë faji i Edi Ramës.

Me stil jetese nënkuptoj të mos thith smoging e makinave nëse dua të bëj një xhiro në qendër. Nuk është e mundur që fshatra si Ksamili, që mund të lihet pas i tëri në 15 minuta në këmbë, të jenë me qasje të lirë për makinat. Duhet të jenë zona me trafik të kufizuar! Me një parkim gjigant përpara hyrjes dhe me shoferë që, përmes makinave elektrike të golfit (golfcar), t’i shëtisin turistët nëpër fshat për t’i shoqëruar nëpër akomodimet e tyre të ndryshme.

Mjafton të merret si shembull modeli i Zermatt-it në Zvicër.

Sa i përket grumbullimit në Tiranë që bëhet çdo mbrëmje… ajo është kthyer në një lojë, ose më mirë, është kthyer në argëtimin e ri që zëvendëson xhiron klasike të mbrëmjes që bëjnë shqiptarët. Ata nuk kanë as idenë më të vogël të pasojave dhe se çfarë mund të ndodhë duke rrëzuar qeverinë në këtë mënyrë, e mbi të gjitha pa e ditur as vetë se me kë t’ju zëvendësojnë. Këto sjellje më kujtojnë veten time kur isha fëmijë, kur bleva një derrkuc kursimi dhe e theva menjëherë pas një jave sepse doja kursimet, duke parë se brenda kishte pak ose asgjë dhe se ato që kisha kursyer më duhej t’i shpenzoja pastaj për të blerë një derrkuc tjetër. Këta njerëz po bëjnë të njëjtën gjë, por jo me një derrkuc kursimi, por me diçka shumë më të madhe dhe më të rrezikshme.

Me këtë mesazh dëshiroja t’ju tregoja gjithë mbështetjen time, si dhe atë të shumë njerëzve të tjerë që, edhe pse në heshtje, gjithsesi ju mbështesin dhe janë të kënaqur me punën e kryer nga ju.

Do të gënjeja po të thosha se jam dakord me gjithçka që keni bërë, por sigurisht është e pamohueshme që ju i keni dhënë një kthesë dhe një zgjim vendit tonë, prandaj ju lutem vazhdoni ta bëni Shqipërinë të madhe dhe të na bëni të ëndërrojmë. Faleminderit dhe kalofshi një mbrëmje të mirë!