(Parathënia e librit me tregime “Nusja e Topiajve”)
“Raimonda Moisiu–Sade është një grua e rrallë, që u ngrit mbi dramën e saj vetjake, për t’i dhënë shoqërisë shqi- ptare, veçmas diasporës, më të mirën e shpirtit dhe të talentit të vet natyral. Ajo bën pjesë në atë kategori grash krijuese, që lëvrojnë pothuajse të gjitha zhanret e artit të të shkruarit dhe ka zënë një vend unik në letërsinë shqipe,” – shprehet shkrimtari, skenaristi dhe publicisti i njohur Vangjush Saro. Duke lexuar përmbledhjen me tregime, të titulluar “Nusja e Topiajve”, të autores shqiptaro-amerikane Raimonda Moisiu–Sade, humbesh thellë në bukurinë e ndjenjave shpirtërore dhe emocionale të dashurisë, që nga tregimi i parë e deri tek i fundit. Ky koleksion tregimesh është një lutje e të pamohueshmes, e të ndjeshmes dhe e të bukurës; është shprehja e preludit të dashurisë, që na kujton se dashuria është kudo, thjesht ne duhet ta kërkojmë atë. Tregimet janë tërheqëse, me figura letrare, të shkruara lirshëm, kanë larmi e harmonizim, që gjallon brenda shpirtit të autores, duke përcjellë një mesazh të qartë e të ndjeshëm: atë të dashurisë njerëzore. Me zërin e saj të pagabueshëm, autorja Moisiu ka klas dhe stil të veçantë; fjala rrjedh e hapur dhe mendimi i çlirët. Një aspekt specifik i “mos- stepjes”, me një gjuhë të komunikueshme dhe fragmente të
sinqerta, ajo zhvesh zemrën dhe shpirtin e saj për të zbuluar mendime mbi gjithçka dhe paraqet një koleksion magjepsës reflektimesh të bukura mbi jetën, dashurinë, dhembjen, shpre- sën, besimin dhe shoqërinë. Secili tregim paraqet më vete fate dhe drama njerëzore, si vetë jeta e njeriut; fragmente që kristalizojnë forcën e kurajos dhe imazhin e botës shpirtërore të femrës dhe nxjerrin në pah karakterin e saj krijues. Tek ajo shohim vajzën, femrën qytetare kurajoze, që me brishtësinë femërore ngrihet me guxim ndaj ambientit, rrethanave dhe mentaliteteve. Raimonda, si në poezi ashtu edhe në prozë, i këndon me gjithë zemër dashurisë; madje nuk di të bëjë poza. Proza e saj shpesh vizaton në mënyrë sensuale dhe ftuese; heronjtë e saj lirikë, të dashuruarit, grishin parreshtur për një “shtrëngim” deri në harrim, por kjo aspak nuk është dalldi. Mënyra se si ajo iu këndon çasteve të dashurisë, edhe pse me “mjete” (metafora) të forta letraro-artistike, ndër to ka diçka tepër femërore, që mund të cilësohet më shumë si ngazëllim, një harmoni e dëshirave më të natyrshme njerëzore, sesa një vizatim skenash plot lektisje. E ngarkuar me valenca të shumta, ajo dhe rrëfimet e saj për dashurinë kanë depërtuar në fate të dukura e të fshehura të njeriut, kryesisht të gjinisë së bekuar femërore. Me një botë që i ka të katër stinët brenda, kjo autore zengjine në ide e shpirt prej kohësh jeton prezencën, për çudi, midis dhembjes dhe dashurisë së jetuar, të munguar e pjesërisht të dëftuar për këndonjësin: pengjet, pëshpërimat, psherëtimat e kështu me radhë. Autorja Moisiu vërtet ka një profil të veçuar të saj, ku të bën përshtypje guximi – elementi që e dallon – për të kapur tema tabu, duke i shpallur luftë së keqes, fatit që e ka bërë të përvuajtur femrën e gjysmës së botës. Kjo autore nuk e llogarit frikën, as njeh frikë e “turp”, këtë kurth që mban ende të mbyllur në perde rrobash e shpirti gratë kudo në botë, ku shpirti rrënohet, rënkon dhe hiqet zvarrë. Pena prozaike e Raimondës ka marrë përmasa të gjera, e cila mbart në vetvete forcën dhe bukurinë shpirtërore të femrës. Madje i bëj pyetjen vetes: të kujt femre? – të Mondës që njoh unë personalisht, larg e afër, që nga fëmijëria e deri më sot. Sigurisht, të asaj femre që di të shprehet nëpërmjet një bote të pasur shpirtërore dhe një dhuntie të madhe që ka vlerësimi i figurës së femrës dhe vetë- vlerësimi. Forcën, kurajon dhe guximin për të shprehur dhe hedhur në letër atë që dëshiron të transmetojë nëpërmjet këtij koleksioni me tregime, skica dhe ese romantike e pasionante; rrëfime pa dorashkat e një dimri të akullt e të tkurrur brenda vetes, por edhe me një gjuhë të pasur letrare. Madje, kur e lexoj, mendoj se duhet të ketë më tepër forcë brenda zemrës dhe shpirtit të saj, sepse ajo bisedon me dashurinë, me ndje- njën, dhe aq bukur. Rreshtat kalojnë njëri pas tjetrit, duke dalë herë pas here nga kornizat e lexuesit; duket sikur janë përballë dhe vetëm para saj jeta merr ngjyra të bukura, që në thelb ka çastin dallues me të tjerët – “mosstepjen”, sepse ka guximin të shpallë më intimen, duke shprehur pa droje çastin e dashurisë që lidh (një herë!), por kjo në dhjetëra këndshikime – “dy zemra”. Kjo është “shenja” më dalluese midis prozatorëve dhe Raimonda Moisiut, edhe sikur rrëfimi i saj të mos ketë auto- rësinë. Zakonisht, kur lexojmë shkrimtarë me emër, na krijohet ndjesia sikur prozën moderne e shkruan një dorë; kjo pandehmë fillestare ka të bëjë me strukturën dhe kompo- zicionin e ngjashëm. Akoma më shumë kjo ndjesi shtohet kur përballemi me oshilacione të tepruara, që padashje “çorroditin fragmentin”. Por oshilacionet në rrëfimet romantike të Rai- mondës nuk janë të tepruara. Ato shfaqen me “doza” të
pranueshme, aq sa e mban rrëfimi. Ajo që e dallon Mondën nga prozatorët dhe poetët e tjerë është pikërisht “guximi i tejskajshëm” për të shprehur intimitetin, “që shpesh përdredh vetullat nga habia, si të femrave ashtu edhe të meshkujve”. Një përzgjedhje e tillë do të nxirrte në pah mesazhin përzgjedhës, duke e veçuar edhe nga përsëritjet “e padukshme për autoren”; teknika redaktoriale do të nxirrte në pah akoma më shumë specifikën shpërthyese të prozës së Raimonda Moisiut. Stepja në procesin krijues është një implikim i çuditshëm, pasi ballafaqohet morali tradicional me moralin e avancuar glo- balist: sa jemi çliruar nga “ankthi” dhe të mos stepemi kur shkruajmë në vetën e pare! Për të dalë nga “humnera e stepjes”, autorja Moisiu kërkon ndihmën e ëndrrave, kujtimeve, gabimeve të bukura të dashurisë dhe përvojave jetësore. Në këtë koleksion ka tregime, skica dhe ese veçse për dashurinë dhe pasionin e sinqertë njerëzor. Te tregimi “Gjëmimi i moshave”, ndjenjat dhe pasionet që nuk njohin moshë, dashuria që nuk ka emër, e transformojnë profesor Robertin, në moshën e tretë, i rënë në dashuri me studenten e tij Era Pishtari, nga një burrë me parime dhe “i përmbajtur”, të rilindë dhe të shijojë çmendurisht dashurinë me vajzën e re: shikimin përdëllues të saj, ledhatimin e duarve dhe tingujt e serenatës, duke na dhënë brendësinë e vërtetë shpirtërore të të dyve, elegancën e dashurisë njerëzore, tradhtinë e bukur e të ëmbël bashkëshortore, vuajtjen dhe përjetimin romantik e melankolik të saj. Do të veçoja tregimin episodik dhe historik “Nusja e Topiajve” (nga i cili ka marrë edhe titullin libri, me nëntitullin “Kali i Princeshës”), një tregim për princeshën shqiptare Mamica Kastrioti, i cili është vlerësuar me çmimin “Petro Marko” nga revista Kuvendi në Detroit, Michigan, SHBA. Rrëfimin për princeshën dhe kalorësen e Kastriotëve, Mamica Kastrioti, autorja për herë të parë e ka mësuar nga babai i saj i ndjerë, si në ato legjendat që tregohen për trimëreshat shqiptare në fëmijëri. Ideja për të shkruar këtë tregim i lindi krejt vetiu. Në këtë tregim historik, autorja Moisiu shpalos ndjenjën më të bukur njerëzore – dashurinë e një princeshe – dhe mishërimin e kësaj dashurie midis të vërtetës historike, me butësinë e shpirtit luftarak të një kalorëseje dhe me madhështinë egoiste njerëzore të femrës, mes marrëzisë së dashurisë dhe luftëtares për liri. Më kujtohet si tani, kur Monda gjendej në Shqipëri dhe ishte në proces shkrimi të këtij tregimi; së bashku kemi shkuar enkas në kalanë e Petrelës, aty ku historia lidhet ndjeshëm me princeshën Mamica Kastrioti. Autores Moisiu i mori pak më tepër se një vit kohë për ta shkruar këtë tregim. Tregimi është i vendosur mirë në një sfond historik, për të afruar pranë atë epokë legjendare, duke u përqendruar tek Mamica, simbol i luftëtares së bukur shqiptare. Dalloj se si në poezi ashtu edhe në prozë, autorja Moisiu është e tejguximshme kur përshkruan sfondet erotike në linjën e dashurisë së princeshës së Kastriotëve. Autorja ka dalë jashtë “kontrollit” dhe drojës; ajo guxon dhe “heq jorganin për të parë se çfarë ndodh poshtë tij” në natën e martesës, duke përshkruar kasollen e intimitetit të tyre, bukurinë shpirtërore dhe fizike të princeshës, misterin e humanes që shtrihet në trupin lakuriq të një luftëtareje të paepur, në kufijtë e sensuales, erotikes, mistikes, filozofikes dhe artistikes. Është bukuria, brishtësia dhe kompleksiteti i figurës njerëzore të femrës, e cila është frymë, dashuri, jetë. Libri ka gjithsej pesëmbëdhjetë tregime me titujt e tyre respektivë, si: “Të papërligjurit”, “Hingëllima e kalit”, “Ekstazë mbi oqean”, “Nepsi i epshit”, “Kafeqejfi”, etj. Në secilin prej tyre, autorja Moisiu, me guxim, përpjekje e sakrifica, me zemërdhemb- shurinë dhe ngrohtësinë e ndjenjave të personazheve, merr nën kontroll përvojat jetësore dhe krijon një kimi ndjeshmërie që vendos lidhjet mes vetes dhe të dashuruarve, në atë kopsht të paanë të dashurisë njerëzore. Në këtë koleksion me tregime, skica dhe ese epike e të mrekullueshme, rrëfime të gjalla, interesante dhe intensive dashurie, autorja Moisiu na ka dhënë botën shpirtërore të mbushur me romancë, dashuri, mall, respekt dhe qetësi shpirtërore si shërim i një brenge, dhimbjeje e “plage” të së kaluarës, të cilat ajo i ka mbrujtur dhe trajtuar me stil letrar dhe mjeshtëri artistike. Në përmbledhjen e saj me tregime, skica dhe ese, autorja Moisiu na çon në aventura romantike, një përzierje e bukur e gabimeve të bukura dhe forcës shpërthyese të tyre për t’i përsëritur dhe për të zbuluar të vërtetën rreth magjisë së tyre. Përmes një bote shpirtërore të pasur, të mbushur me romancë e ndjenja, herë me dhimbje e zhgënjime, herë duke hedhur vështrimin pas e duke vëzhguar brenda vetes, Raimonda shkruan për gjetjen e vetes, arsyet, gëzimet e jetës, me hir, zgjuarsi dhe mall; duke qeshur e duke qarë, duke vallëzuar në valët e detit e natën me hënë, duke bërë dashuri në rërën e bregut të detit deri në agimin e ditës tjetër, derisa të lindë dielli. Autorja na kujton se magjia dhe gjuha dashurisë është kudo – thjesht ne duhet ta kërkojmë atë. Tregimet karakterizohen nga lirizmi dhe shpalosja e ndjenjave të holla njerëzore brenda një kornize përgjithësisht reale, dhe krijohet ideja se ndihesh tejet i/e impresionuar nga gjallëria e portretizimit të të dashuruarve që dashurojnë jetën dhe njerëzit, që guxojnë e rrezikojnë duke kërkuar dashurinë – atë njerë- zoren dhe hyjnoren – përmes lidhjeve të forta emocionale dhe ndjenjave, forcës shpërthyese dhe thellësisë së ekzistencës njerëzore. Dashuria nuk vdes; ajo shpëton botën…
Raimonda Moisiu–Sade është tashmë një shkrimtare, poete, romanciere, publiciste dhe aktiviste për të drejtat e grave, një prej intelektu- aleve shqiptaro-amerikane që prej disa dekadash ka tërhequr vëmendjen e një publiku të gjerë, jo vetëm me krijimtarinë e saj, por edhe me përfshirjen në një sërë veprimtarish atdhetare, letraro-artistike, me taban historik e kombëtar, në Amerikë, Shqipëri, Kosovë dhe në jetën e diasporës mbarëshqiptare.
Shkruar nga Kozeta Zavalani
*Shkrimtare, Gazetare e Pavarur, Aktiviste e Shquar e Shoqërisë Civile dhe komunitetit të Letrave Shqipe.










