Policia e Shtetit dhe Policia e Kosovës kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi për organizimin e shërbimeve të përbashkëta të policimit rrugor gjatë sezonit turistik 2026, me synim rritjen e sigurisë në rrugë dhe menaxhimin më efektiv të fluksit të lartë të lëvizjeve mes dy vendeve.
Marrëveshja u firmos në Tiranë nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skender Hita, dhe homologu i tij nga Kosova, Gazmend Hoxha, gjatë një takimi në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Sipas autoriteteve, ky bashkëpunim vjen në përgjigje të rritjes së ndjeshme të qarkullimit të qytetarëve dhe automjeteve nga Kosova drejt Shqipërisë gjatë muajve të verës, si dhe fluksit të lartë në Pikën e Kalimit Kufitar Morinë.
Marrëveshja parashikon përdorimin më të gjerë të teknologjisë në monitorimin e trafikut, me qëllim shmangien e ndalimeve të panevojshme të automjeteve dhe rritjen e efikasitetit në kontrollin rrugor. Po ashtu, efektivët e të dyja policive do të angazhohen së bashku në parandalimin e aksidenteve, evidentimin e shkeljeve të qarkullimit, menaxhimin e trafikut dhe goditjen e aktiviteteve kriminale ndërkufitare.
Gjatë ceremonisë, drejtori Hita vlerësoi bashkëpunimin mes dy institucioneve, duke theksuar se koordinimi i deritanishëm ka sjellë rezultate konkrete në luftën kundër krimit të organizuar, trafikimit të armëve, lëndëve narkotike dhe migracionit të paligjshëm. Ai nënvizoi gjithashtu se përdorimi i dronëve, radarëve dhe automjeteve inteligjente ka ndikuar në rritjen e transparencës dhe uljen e kontaktit fizik mes policisë rrugore dhe drejtuesve të mjeteve.
Nga ana tjetër, drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, shprehu gatishmërinë e efektivëve kosovarë për të shërbyer pranë kolegëve shqiptarë në zonat turistike dhe bregdetare, duke kontribuar në garantimin e sigurisë rrugore gjatë sezonit veror.
Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit në fushën e inteligjencës kriminale, me synimin për të rritur efektivitetin në luftën kundër krimit të organizuar.
Në përfundim të takimit, dy drejtuesit riafirmuan angazhimin për forcimin e bashkëpunimit mes dy policive dhe për garantimin e një sezoni turistik sa më të sigurt për qytetarët dhe vizitorët.










