Ndërsa në Tiranë protestohet për Zvërnecin, kryeministri Edi Rama foli sërish për investimin nga Berati, duke theksuar edhe njëherë se kjo është zonë e mbrojtur kategoria 5, por që e lejon ndërtimin. Kryeministri tha se askush nuk e ka kërcënuar natyrën dhe biodiversitetin. Ai theksoi se Shqipëria tashmë ka kaluar në një fazë tjetër për të kërkuar turizëm elitar, e investime të tilla theksoi se do t’i donte çdo vend.
“Ka një protestë në Tiranë, protestë për të mbrojtur natyrën, po kush e ka kërcënuar natyrën? Kush e ka vënë në rrezik bisodiveristetin. Protestohet se është hequr nga zonë e mbrojtur Zvërnecin, po kush e ka hequr dhe kur ka qenë zonë e mbrojtur dhe çfarë zone. Zvërneci ka qenë zonë e mbrojtur e kategorisë 5, peizazh i mbrojtur, kështu është dhe sot, kështu do jetë dhe nesër. Protestohet për çfarë? Debati real nuk është a do mbrohet apo biodiversiteti, a do hiqet apo do rrijë ajo zonë si peizazh i mbrojtur, sepse ajo ka qenë, është dhe do jetë. Debati sot është më i thjeshtë, por edhe më i thellë se kaq. Çfarë Shqipërie do zhvillojmë ne dhe çfarë Shqipërie do kemi ne pas 10-15 vitesh dhe si do ta rrisim ne Shqipërinë ekonomikisht si do ta rrisim PBB, nëse ne industrinë tonë kryesore kemi turizmin. Truizmi zhvillohet pikërisht nga ato vende që kanë respekt për natyrën dhe mjedisin. Por nëse ne mendojmë që do rrisim PBB, pagat, pensionet, konsumin, zinxhirin e vlerës në territoret tona, pa rritur cilësinë e turizmit ne mendojmë gabim. Nëse ne mendojmë se do të përqendroheni dhe të vazhdojmë me investimet e vogla copa-copa dhe me hotelet që sjellin vetëm turizmin masiv, i cili nuk është i qëndrueshëm në afat gjatë, atëherë ne mendojmë gabim. Kush mendon se turizmi cilësor, është një turizëm që iu vlen vetëm atyre që vijnë, mendon gabim, sepse ata kur vijnë duan të ushqehen me çfarë prodhon vendi ku shkojnë, investime si ky i Zvërnecit janë investime që do ti donte çdo vend dhe janë investime që jo çdo vend ka dëshirë ti shohë që ti bëjë Shqipëria. Janë investime që mobilizojnë të gjithë çfarë ka rreth e rrotull. Mobilizojnë bujqit, blegtorët, mobilizojnë sistemin e transportit. Pa nisur investimi, ka rritur 4 fish vlerën e pronës. Ca do me thënë që ne Shqipërinë nuk ua japim Shqipërinë të huajve. Ca do me thënë që Shqipëria është e shqiptarëve, kush e ka vënë ndonjëherë në diskutim këtë. Puna është se si do ti bëjmë shqiptarët të ndihen në Shqipëri, si qytetarë që janë të barabartë në gjithçka, jo vetëm në të drejta por edhe në mundësi me të tjerët, apo si qytetarë të një vendi që ndryshe nga të tjerët ka mundësi të bëhet konkurrues në ligën më të lartë të turizmit”, tha Rama.









