Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale lajmin se një nga programet më të ndjekura në Britaninë e Madhe, “The Only Way Is Essex (TOWIE)”, do të zhvillojë xhirimet e sezonit të ri në Drimadhë, duke e cilësuar këtë si një tjetër dëshmi të vëmendjes në rritje që Shqipëria po fiton në arenën ndërkombëtare të turizmit dhe medias.

“Një nga programet më të ndjekura në Britaninë e Madhe, TOWIE nga ITV, prodhuesi më i madh në Europë për Reality Shows, ka zgjedhur Drimadhën për xhirimet e sezonit të ri, si një tjetër dëshmi e vëmendjes që po fiton Shqipëria në arenën ndërkombëtare të turizmit dhe medias”, theksoi Kryeministri.

Regjisorja Rebecca Kenny-Smith u shpreh se Shqipëria është kthyer në një nga destinacionet më të përfolura në Mbretërinë e Bashkuar.

Sipas Kenny-Smith, kombinimi i ujërave të kristalta, perëndimeve të diellit, maleve dhe arkitekturës tradicionale e bën Shqipërinë një destinacion unik dhe të dallueshëm nga vendet e tjera turistike.

Kryeministri Rama e cilësoi përzgjedhjen e Drimadhës nga produksioni britanik si një promovim të rëndësishëm për turizmin shqiptar dhe një tregues të rritjes së interesit ndërkombëtar për Shqipërinë si destinacion turistik dhe mediatik.