Pas tre ditëve bllokim me kërkesë të SPAK, 195 milionë dollarë të destinuara për resortin në Zvërnec janë zhbllokuar.

Vendimi është marrë këtë të hënën që lamë pas dhe paratë tashmë janë të përdorshme, raporton WebLajm.

Me një vendim të habitshëm, Prokuroria e Posaçme vendosi nën sekuestro preventive, llogaritë bankare të ‘Albania Land Development’, kompania e cila zotërohet nga dy sipërmarrësit e njohur nga Katari, vëllezërit Moutaz dhe Ramez Al-Khayyat, të cilët kanë parashikuar të investojnë së bashku me Jared Kushner-in, dhëndrrin e presidentit amerikan Donald Trump, në ndërtimin e një resorti luksoz në Zvërnec.

‘Albania Land Development’, rezulton të ketë blerë sipërfaqet e tokës mbi të cilën do të realizohet projekti. Ajo fillimisht, ishte në pronësi të Redi Strugës, i cili pasi e shiti, e emërua një nga tre administratorët e kompanisë, por me të drejtë të kufizuar të firmës.

Sekuestro preventive e SPAK-ut, vjen si pjesë e një hetimi të nisur disa javë më parë, mbi titujt e pronësisë në zonën e Zvërnecit. Sipas asaj që deklaroi një ditë më parë kryeministri Edi Rama, investitorët nga Katari, i kanë blerë sipërfaqet e tokës, përmes transaksioneve bankare, nga subjekte dhe individë të pajisur me tituj pronësie. Ndërhyrja e beftë e Prokurorisë së Posaçme, duke bllokuar llogaritë e kompanisë, rrezikon të verë në pikëpyetje investimin që në total përllogaritet, sipas deklarimeve publike, në 4 miliard euro, më i madhi i realizuar ndonjëherë në Shqipëri, jo vetëm në fushën e turizmit.