Me rritjen e menjëhershme të temperaturave dhe nisjen e sezonit veror, janë shfaqur edhe problemet e para me zvarranikët dhe insektet helmuese.

Sipas specialistëve, këtë vit ato kanë dalë më herët se zakonisht, duke u kthyer në një rrezik për fermerët dhe personat që punojnë në bujqësi.

Përveç zonave rurale, zvarranikët janë konstatuar edhe në ambiente të populluara, madje edhe pranë qendrave të qyteteve, duke shkaktuar shqetësim te qytetarët.

Mjeku toksikolog Lulzim Banushaj shprehet se këtë sezon rastet e pickimeve janë shtuar ndjeshëm si pasojë e temperaturave të larta.

“Banushaj thekson se pickimet nga zvarranikët apo insektet helmuese mund të kenë pasoja serioze, veçanërisht te personat që vuajnë nga hipertensioni, sëmundjet e zemrës apo probleme të tjera shoqëruese.

Për këtë arsye, ai këshillon fermerët dhe punonjësit e bujqësisë të tregojnë kujdes maksimal, duke përdorur veshje mbrojtëse si çizme dhe doreza për të shmangur kontaktin me to”, shprehet Lulzim Banushaj, toksikolog.

Mjeku apelon që në çdo rast pickimi qytetarët të paraqiten menjëherë në urgjencë për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore dhe për të shmangur komplikacionet që mund të rrezikojnë shëndetin apo jetën e tyre.