Simon Zereci është emëruar Drejtor i Përgjithshëm i Gardës së Republikës së Shqipërisë, pas dorëheqjes së drejtuesit të mëparshëm Ermal Onuzi.

Sipas njoftimeve zyrtare, Zereci është një oficer karriere me mbi tre dekada përvojë në strukturat e sigurisë dhe në Gardën e Republikës, ku ka shërbyer në disa pozicione drejtuese dhe operacionale, përfshirë edhe drejtimin e Njësisë Speciale.

Ai e ka nisur karrierën ushtarake në vitin 1986 në Ministrinë e Mbrojtjes dhe më pas iu bashkua Gardës së Republikës, ku ka kaluar nga detyra të nivelit bazë deri në poste të larta komanduese.

Gjatë karrierës së tij, Zereci ka mbajtur edhe gradën “Drejtues i Lartë” dhe është trajnuar në disa programe brenda dhe jashtë vendit, të fokusuara në sigurinë e personaliteteve dhe mbrojtjen e institucioneve shtetërore.