Deputeti i Partisë Socialiste, Ulsi Manja, ka reaguar në lidhje me debatet që kanë shoqëruar projektin e zhvillimit turistik në Zvërnec, duke e krahasuar atë me investimin e madh që po realizohet aktualisht në Britaninë e Madhe nga kompania Universal.

Sipas Manjës, rasti i Britanisë tregon qartë se si shtetet serioze i trajtojnë investimet strategjike: jo duke i refuzuar ato, por duke u siguruar që të respektojnë ligjin, mjedisin dhe interesin publik.

“Britania e Madhe sapo ka konfirmuar ndërtimin e Universal United Kingdom Resort, një investim prej mbi 6 miliardë paundësh që pritet të krijojë dhjetëra mijëra vende pune dhe të gjenerojë miliarda për ekonominë. Askush atje nuk po debaton nëse investimi duhet ndaluar. Debati është se si të përfitojnë më shumë qytetarët, si të mbrohet mjedisi dhe si të maksimizohet ndikimi ekonomik”, është shprehur Manja.

Duke iu referuar projektit të parashikuar në Zvërnec, ai theksoi se Shqipëria ka nevojë për investime të mëdha që krijojnë vende pune, zhvillojnë infrastrukturën dhe rrisin konkurrueshmërinë e ekonomisë.

“Ne kemi nevojë për kapital, për vende pune dhe për projekte që transformojnë ekonominë. Kjo nuk do të thotë që çdo projekt duhet pranuar pa kushte. Përkundrazi, transparenca, respektimi i ligjit dhe mbrojtja e mjedisit janë të panegociueshme. Por një shtet serioz nuk lufton investimin, lufton abuzimin”, deklaroi ai.

Manja u shpreh se debati publik duhet të fokusohet te cilësia e projektit, përfitimet për komunitetin dhe garancitë ligjore e mjedisore, dhe jo te refuzimi apriori i investimeve të huaja.

“Në një kohë kur vendet e rajonit konkurrojnë për të tërhequr investime strategjike, Shqipëria nuk mund të përballojë luksin të trembë kapitalin ndërkombëtar. Investimi i huaj është një mjet për të krijuar një ekonomi më të fortë, për të rritur pagat dhe për të krijuar mundësi për të rinjtë”, theksoi deputeti socialist.

Në përfundim, Manja nënvizoi se Shqipëria duhet të ndjekë modelin e vendeve të zhvilluara, duke kombinuar mbrojtjen e mjedisit me zhvillimin ekonomik dhe duke garantuar që investimet strategjike t’i shërbejnë interesit publik.