Kushtet meteorologjike pritet të jenë një nga faktorët më përcaktues në Botërorin 2026, që do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara, Meksikë dhe Kanada. Temperaturat e larta, të cilat ndikuan ndjeshëm edhe në Botërorin e Klubeve 2025, po detyrojnë kombëtaret të adoptojnë metoda të veçanta përgatitore.

Kombëtarja e Belgjikës ka vendosur të përfshijë dushe të nxehta dhe seanca në sauna pas stërvitjeve, me qëllim që lojtarët të përshtaten sa më mirë me temperaturat që pritet të përballojnë gjatë turneut.

Belgjika do të debutojë më 15 qershor kundër Egjiptit në stadiumin “Lumen Field” të Seattle-it. Ndeshja do të luhet në mesditë dhe stadiumi është një nga 11 arenat e hapura të Botërorit, pa çati apo mbulim të lëvizshëm, çka e bën ekspozimin ndaj diellit dhe vapës edhe më të madh.

Mesfushori belg Axel Ëitsel theksoi rëndësinë e përshtatjes me kushtet klimatike. “Pa dyshim që vapa ndikon. Disa lojtarë nuk janë mësuar me temperatura të tilla, por po bëjmë gjithçka për t’u përshtatur. Lojtarët bëjnë dushe me ujë të nxehtë dhe shkojnë në sauna”, deklaroi ai.

Megjithatë, Belgjika nuk është e vetmja skuadër që po merr masa të veçanta. Edhe Norvegjia, e konsideruar nga shumë si një nga surprizat potenciale të këtij Botërori, monitoron rregullisht nivelin e hidratimit të futbollistëve të saj.

Stafi mjekësor norvegjez kryen analiza të shpeshta të urinës për të vlerësuar gjendjen hidrike të lojtarëve dhe për të shmangur problemet që mund të shkaktohen nga temperaturat e larta gjatë kompeticionit.

Ekspertët vlerësojnë se përshtatja me nxehtësinë dhe menaxhimi i hidratimit do të jenë elementë kyç për suksesin e skuadrave në Botërorin 2026, ku kushtet klimatike mund të ndikojnë po aq sa cilësia në fushën e lojës.