Ish-ministri i Mbrojtjes dhe deputeti i Partisë Socialiste, Pirro Vengu, ka reaguar ashpër ndaj akuzave të opozitës në Kuvend, duke i cilësuar deklaratat e tyre si një përpjekje për të delegjitimuar administratën shtetërore. Gjatë debatit parlamentar për marrëveshjen që lidhet me sektorin e energjisë, Vengu u shpreh se sulmet ndaj administratës nuk janë thjesht kritika politike ndaj qeverisë, por vënë në pikëpyetje punën dhe integritetin e mijëra punonjësve të shtetit. Ai paralajmëroi opozitën se një qasje e tillë dëmton vetë institucionet mbi të cilat do t’u duhet të qeverisin në të ardhmen.

“Në qoftë se s’kemi besim te administrata e shtetit tonë, i bie që jemi duke vënë në pikëpyetje administratën tuaj, jo vetëm timen. Marr shkas dhe nga tipologjia e debatit sot me kolegët e opozitës, do të doja një koment shumë parimor që me frymë, që besoj e ndajnë të gjithë.

Të nderuar kolegë të opozitës, kur thoni, siç e bëtë në mënyrë të përsëritur sot, që nuk keni besim te administrata zoti Muçi dhe zoti Himçi ju nuk po kritikoni një ministër apo një kryeministër, ju po delegjitimoni shtetin. Praktikisht po thoni që dhjetëra mijëra policë, ushtarakë, mjekë, inxhinierë, elektricistë, juristë… po thoni që puna e tyre nuk ka vlerë. Në qoftë se e keni ndarë mendjen që për të fituar një debat politik duhet të delegjitimoni administratën, bëhuni gati që kur të jeni në qeverisje, të qeverisni mbi rrënojat e asaj që keni shkatërruar.

Mua, zoti Muçi, s’ke pse të më adresohesh fare ashtu. Unë nuk kam, dhe të gjithë kolegët këtu, përfshirë dhe ju, përfshirë dhe administratën e nderuar këtu të Kuvendit dhe të qeverisë, nuk kanë asnjë mizë nën kësulë. Dhe ne nuk kemi asnjë durim, po fare durim morali nga ana juaj, sikur të ishim këtu fajtorë apo bashkëfajtorë. Për çfarë jemi fajtorë ne? Sepse po shtohet një investim për 50 mijë abonentë të rinj? Sepse po sigurohet energji për infrastrukturat kritike? Po jeni në terezi që e keni çoroditur gjithë vendin dhe thoni… çfarë ishte kjo pyetje zoti Himçi: ‘Pse vini këtu në Kuvend për një marrëveshje të tillë?’ OSHEE-ja, që ta dini ju, bën marrëveshje edhe me bankat pa garanci shtetërore dhe s’vjen fare në Kuvend. Kjo tregon që keni një kuptim dhe një botëkuptim minimal të shtetit dhe funksionimit të shtetit. Mua kjo më vjen keq realisht në këtë debat dhe, realisht, sa herë do delegjitimoni administratën, shtetin dhe çdo punonjës të ndershëm – si shumica dërrmuese e punonjësve të shtetit tonë –mua më keni kundër.”