“1.4 miliardë dollarë. Një ishull ushtarak i braktisur. Tunele nëntokësore për të cilat askush nuk flet. Dhe një kamp, tre orë më poshtë rrugës, që bota e ka harruar. Kushner eci zbathur në Sazan dhe e quajti parajsë. Por bunkerët ende kanë harta në mure. Radari ende drejtohet nga qielli. Dhe deti mban mend gjithçka. Ata e quajnë investim. Ne e quajmë një kasafortë. Rërë e artë. Mure të bardha. Një gënjeshtër e lustruar.”

Kjo është kënga që ka gjeneruar mijëra shikime dhe pëlqime prej disa ditësh në platformat sociale “X” dhe “Instagram”. Çdo ditë e më shumë po qarkullojnë video të prodhuara me inteligjencë artificiale në stilin e animacioneve me figura “Lego”, të cilat po e përdorin protestën e qytetarëve shqiptarë për Zvërnecin në shërbim të propagandës anti-amerikane, anti-Trump dhe anti-izraelite.

Këto video po e përdorin protestën shqiptare brenda një narrative gjeopolitike më të gjerë ku përplasen interesat e vendeve të mëdha. Gjithashtu përhapen informacione të rreme dhe të manipuluara, që i shërbejnë narrativës pro-iraniane, si psh Sazani shihet si një ishull ushtarak që ka 3 mijë bunkerë me tunele nëntokësore dhe që i është shitur Kushnerit në shërbim të interesave amerikane dhe izraelite.

Të tilla video janë bërë virale kur nisi lufta midis Iranit, SHBA-së dhe Izraelit, kur llogari pro-iraniane nisën të prodhonin dhe shpërndanin masivisht klipe të shkurtra satirike me inteligjencë artificiale.

Përhapja gjithnjë e më masive e këtyre videove propagandistike dita ditës është duke i mbivendosur protestës agjenda të jashtme, duke i dhënë mundësi kundërshtarëve të saj ta paraqesin jo si lëvizje qytetare, por si pjesë të një fushate të huaj politike dhe ideologjike.

Ndonëse ka një verifikim zyrtar mbi origjinën e këtyre videove dhe mbi llogaritë që qëndrojnë pas tyre, formati, gjuha dhe mesazhi politik i tyre përputhen me një model tashmë të njohur të propagandës pro-iraniane në rrjetet sociale.

Kjo e bën tejet delikat momentin politik të protestave në Shqipëri, pasi një kauzë që nisi si kundërshtim ndaj një projekti konkret në bregdetin shqiptar, është duke u shndërruar në një fushë ku po përplasen narrativa të importuara nga konfliktet ndërkombëtare.