“Protestuesit shqiptarë hynë me forcë në një kantier ndërtimi, mes valës së zemërimit për projektin e Jared Kushner-it. ”

Ky është lajmi që i përcillet publikut të huaj krahas një videoje në You Tube e publikuar nga media amerikane DRM News, ku pretendohet se qytetarët shqiptarë kanë hyrë me forcë dhe kanë shkatërruar punimet që po zhvillohen për projektin e Jared Kushner në Shqipëri.

Ky rast është një shembull tipik i dezinformimit, ku video dhe imazhe të manipuluara përdoren për të krijuar perceptimin e një krize që nuk ekziston.

Aktualisht nuk ka objekte të ndërtuara as në Sazan dhe as në Zvërnec. Imazhet i përkasin protestës së qytetarëve në Gjirin e Kakomes dhe nuk kanë asnjë lidhje me investimet që do të zhvillohen në Zvërnec dhe Sazan.

Përhapja e këtyre përmbajtjeve, ku qytetarët shqiptarë konsiderohet si vandalizues, dëmton reputacionin e vendit, cenon besimin e publikut të huaj dhe mund të ndikojë negativisht në turizëm, klimën e investimeve dhe perceptimin ndërkombëtar për Shqipërinë.

Në një periudhë kur vendi po konsolidon pozicionin e tij si një destinacion turistik në rritje dhe po synon tërheqjen e investimeve të huaja, vijimi dhe shumëfishimi i fushatave të tilla dezinformuese mbeten një kërcënim për reputacionin ndërkombëtar të Shqipërisë, duke krijuar perceptime të rreme për sigurinë, stabilitetin dhe klimën e biznesit në vend.