Qofshin institucionet shtetërore, Kisha apo media, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, njihet për dëshirën për të pasur ndikim në të gjitha fushat e shoqërisë. Dhe tani dorëheqja? Çfarë fshihet pas saj?

Dhjetëra mijëra mbështetës të tij – disa vullnetarisht, disa nën presion – mbërritën në Beograd nga e gjithë Serbia të shtunën, si zakonisht me autobusë të organizuar. Pastaj idhulli i tyre qëndroi te mikrofoni në skenën përpara parlamentit për të njoftuar largimin e tij të parakohshëm nga posti më i lartë shtetëror.

“Do të jem President vetëm për disa javë të tjera dhe pastaj do të jap dorëheqjen”, tha Aleksandar Vuçiç në një tubim të madh në qendër të Beogradit.

Ai shtoi se i ofroi udhëheqjes së Partisë Progresive Serbe (SNS) në pushtet ndihmë në zgjedhjet e ardhshme. Lista e tij zgjedhore duhet të mbajë emrin “Serbia e Bashkuar”, që të kujton emrin “Rusia e Bashkuar”, partia e

Presidentit rus Vladimir Putin. Vuçiç njihet për faktin se ndonjëherë kërkon afërsi me Rusinë dhe ndonjëherë me Bashkimin Evropian.

Një kalim në karrigen e Kryeministrit?

“Kjo nuk do të thotë aspak fundi i karrierës politike të Vuçiç”, tha analisti Radivoje Grujiç për agjencinë e lajmeve Reuters. Sipas tij, Vuçiç tashmë ka një plan që nuk përfshin daljen në pension politik.

Mandati i dytë presidencial i Vuçiçit përfundon në fund të majit të vitit të ardhshëm. Ai nuk mund të kandidojë për herë të tretë. Mandati i parlamentit aktual zgjat deri në shkurt 2028. Pritet që Vuçiç të shpallë zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe, si disa burimeve, do të përpiqet të marrë postin e Kryeministrit në rast fitoreje në zgjedhje.

Ai vetë ka lënë të kuptohet në disa raste se zgjedhjet e parakohshme parlamentare mund të mbahen këtë vit, por ende nuk ka njoftuar një datë specifike.

Ai si president formalisht ka kryesisht kompetenca protokollare. Megjithatë, në praktikë, që nga viti 2012, ai vendos në mënyrë të pavarur për të gjitha çështjet e rëndësishme në Serbi, pavarësisht nga pozicioni që mban. Ai ishte Kryeministër nga viti 2014 deri në vitin 2017.