Në vendimin e zbardhur së fundmi nga Gjykata Kushtetuese, gjyqtarja Sonila Bejtja ka mbajtur një qëndrim paralel, duke vlerësuar se në rastin e kryebashkiakut Erion Veliaj nuk janë respektuar standardet kushtetuese dhe ato të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ).

Sipas gjyqtares Bejtja, gjykatat e mëparshme nuk kanë arritur të arsyetojnë në mënyrë bindëse ekzistencën e “dyshimit të arsyeshëm” që do të justifikonte kufizimin e lirisë personale, siç kërkohet nga neni 27 i Kushtetutës.

“Në vlerësimin tim është e dukshme se gjykatat kanë dështuar që të arsyetojnë, në përputhje me praktikën e Gjykatës dhe të GJEDNJ-së, në këtë aspekt… Duke iu referuar standardit të përdorur në këto raste, në çështjen e kërkuesit arsyetimi i gjykatave nuk bind qoftë edhe një vëzhgues objektiv se ai mund të ketë kryer veprat penale për të cilat akuzohet,” thuhet në argumentimin e saj.

Ajo thekson gjithashtu se gjykatat nuk kanë ushtruar rolin e tyre të kontrollit kushtetues për të parandaluar arbitraritetin e autoriteteve publike, duke cenuar kështu garancitë për lirinë personale.
Në qëndrimin e saj, Bejtja shkon më tej duke vlerësuar se përveç mungesës së dyshimit të arsyeshëm, duhej të ishte konstatuar edhe shkelje e parimit të proporcionalitetit të masës së sigurisë, si pjesë e aspektit substancial të lirisë personale, dhe jo vetëm si çështje e arsyetimit gjyqësor.

Ky mendim mbetet një opinion paralel brenda vendimit dhe nuk përfaqëson qëndrimin e shumicës së Gjykatës.