Anthony Joshua kaloi me sukses provën e fundit me shqiptarin Kristian Prenga përpara supersfidës së shumëpritur me Tyson Fury në muajin nëntor, por jo pa vuajtje. Ndonëse fitoi, boksieri britanik u rrëzua dy herë në tapet në raundin e parë nga Prenga, duke qenë shumë pranë një humbjeje shokuese.

Joshua arriti të përmbyste gjithçka me një nokaut të fuqishëm në raundin e dytë. Goditja vendimtare e la Prengën të shtrirë në tapet, i kapur mes litarëve të ringut, duke i dhënë fitoren ish-kampionit të botës dhe duke shmangur një poshtërim që do të rrezikonte edhe duelin e shumëpritur me Tyson Fury.

Pas tre minutave të para të ndeshjes, përballja e planifikuar me Fury dukej se ishte në prag të dështimit. Joshua, megjithatë, reagoi me vendosmëri dhe arriti të rikthehej, duke shpëtuar jo vetëm këtë sfidë, por edhe vazhdimësinë e karrierës së tij. Kjo ishte ndeshja e parë e Joshua që prej aksidentit automobilistik të dhjetorit të kaluar, ku humbën jetën dy nga miqtë e tij më të ngushtë, Sina Ghami dhe Latif Ayodele.

Për këtë duel, britaniku ishte përgatitur me Oleksandr Usyk dhe ekipin e tij, duke synuar të përfitonte nga eksperienca e ish-rivalit të tij. Vetëm 20 sekonda pas sfidës, Prenga e befasoi me një goditje të fortë “uppercut” me të djathtën, që e rrëzoi menjëherë në tapet. Joshua u ngrit i tronditur dhe, në mesin e raundit, vazhdonte të kishte vështirësi në ekuilibër. Rreth 30 sekonda para fundit të raundit të parë, shqiptari e rrëzoi sërish, duke e vendosur shumë pranë humbjes.

Por Joshua reagoi në fund të raundit dhe hyri në të dytin me një tjetër ritëm. Ai e vuri menjëherë në vështirësi Prengën, i cili nisi të tërhiqej pas goditjeve të britanikut. Pak çaste më vonë, Joshua e mbylli ndeshjen me një nokaut spektakolar, duke siguruar fitoren dhe duke mbajtur gjallë supersfidën e shumëpritur ndaj Tyson Fury.