Kryeministri Edi Rama deklaroi se rritja e ekonomisë i ka dhënë mundësi qeverisë të zgjerojë mbështetjen për bizneset e vogla, transportin publik dhe të rinjtë që merren me startup-e.

Ai tha se garancia sovrane do të rritet në 50 milionë euro, ndërsa bizneset e vogla që kanë mungesë financimi do të mbështeten me garanci shtetërore dhe kredi me kushte më të favorshme se ato komerciale.

Rama njoftoi gjithashtu se bashkive do t’u vendosen në dispozicion autobusë elektrikë, për të forcuar transportin publik në një kohë kur numri i turistëve është rritur, ndërsa financimi për të rinjtë që merren me startup-e është dyfishuar.

“Rritja e ekonomisë na ka dhënë mundësi të rrisim garancinë sovrane, ta rrisim në 50 milionë euro. Dikush që ka hapur një biznes të vogël dhe i mungon baza financiare, nuk do jetë vetë, do i japim garanci dhe kredi me interes ndryshe nga kredia komerciale në banka. Do vendosim në dispozicion të bashkive, një numër autobusësh elektrik që nuk konsumojnë karburant, do jenë forcë e shtuar në një mjedis, ku janë shtuar turistët, por transporti publik ka mbetur mbrapa. Kemi dyfishuar financimin për të rinjtë që merren me start up”, theksoi ai.