Angli-Argjentinë, gjysmëfinalja e dytë e Botërorit, po paragjykohet shumë pas përcaktimit të arbitrave nga FIFA. Mediat në ishull shkruajnë se ‘FIFA’ i bëri nder Messi-t me shokë, duke vendosur arbitrin e preferuar të argjentinasit.

Gjyqtari që do të japë drejtësi në Angli-Argjentinë është Ismail Elfath, i cili përfaqëson Amerikën, por ka lindur në Marok. Ai do të asistohet nga dy bashkëatdhetarë të tij amerikanë, ndërsa sipas mediave në Angli Messi ka fituar 4 nga 4 ndeshjet që ka gjykuar Elfath në kampionatin amerikan.

Ai shquhet gjithashtu edhe si arbitër i cili nuk e kursen kartonin. Në 10 ndeshjet e fundit ka nxjerrë 41 të verdhë dhe 3 të kuq. Sipas anglezëve futbollistët duhen të ruhen, pasi nuk do të kursehen aspak nga Elfath.

Paragjykimet në këtë Botëror për Argjentinën kanë qenë të shumta sidomos pas ndeshjeve në 1/8-ve kundër Egjiptit dhe Norvegjisë në çerekfinale. Në duelin kundër Egjiptit, ‘faraonëve’ iu anulua një gol dhe amerikano-latinëve iu dha një i ngjashëm, ndërsa kundër Zvicrës kartoni i kuq i Embolo-s u bë çështje madhore. Një rregull i ri u aplikua për herë të parë, duke ndëshkuar me karton të dytë të verdhë futbollistin që sipas arbitrit stimuloi. Kjo i hapi rrugën Argjentinës të fitonte 3-1 në shtesa. Pas ndeshjes futbollisti i ‘helvetëve’ Manuel Akanji tha se ‘çdo gjë ishte kundër nesh’ dhe ‘nuk kam parrë kurrë një lojë kaq të njëanshme’. Sakaq trajneri Yakin e cilësoi arbitrin të pakuptueshëm.

Për të gjithë këto supozime, shefi i arbitrave në FIFA, Pierluigi Collina, kritikoi ashpër ata që vënë në dyshim integritetin e arbitrave në Botëror, duke shtuar se ‘edhe vetë Infantino nuk ka asnjë ndikim mbi to’.

Më herët FIFA miratoi kërkesën e Argjentinës që përballë Anglisë të luajë me fanellën blu, që i ka sjellë fat në të kaluarën përballë ‘Tre Luanëve’. Argjentina ka fituar 2 nga 3 përballjet ku më e famshmja është ajo e 1986 kur Maradona realizoi golin me dorë dhe atë të shekullit, duke dribluar disa anglezë e në fund portierin Shilton. Duke përfshirë edhe luftën për ishujt Flakland, Angli-Argjentinë premton të jetë një duel më shumë se futboll, e mbushur me përplasje dhe lojë agresive.