Kombëtarja e Anglisë e ka mbyllur Kupën e Botës 2026 në vendin e tretë, pasi triumfoi 4-6 kundër Francës në një prej ndeshjeve më spektakolare të turneut. Mesnatën mes të shtunës dhe të dielës me orën shqiptare, në Miami, tifozët përjetuan një supersfidë me plot 10 gola, dramë dhe emocione deri në sekondat e fundit.

‘Tre Luanët’ e nisën ndeshjen në mënyrë perfekte, duke kaluar në avantazh që në minutën e tretë. Declan Rice lëshoi një goditje të fuqishme nga distanca, duke mposhtur portierin francez për 0-1. Mesfushori anglez ishte sërish protagonist në minutën e 18-të, kur asistoi për Ezri Konsa, i cili shënoi me kokë dhe dyfishoi avantazhin.

Anglia vazhdoi dominimin në pjesën e pare, kjo pasi Marcus Rashford shërbeu për Bukayo Saka, i cili realizoi golin e tretë në minutën e 37-të. Në shtesën e pjesës së parë, ylli i Arsenalit shënoi sërish, duke e çuar rezultatin në 0-4.

Franca reagoi menjëherë pas pushimit. Kylian Mbappe ngushtoi diferencën në minutën e 48-të pas një asisti të Michael Olise, ndërsa vetëm gjashtë minuta më vonë Bradley Barcola shënoi për 2-4.

Në minutën e 66-të, Mbappe realizoi sërish dhe e riktheu plotësisht Francën në lojë. Sulmuesi francez shënoi golin e dytë personal, duke e çuar rezultatin në 3-4 dhe duke ndezur edhe më shumë dramën në Miami.

Megjithatë, Anglia reagoi në momentin vendimtar. Në minutën e 85-të, ‘Tre Luanët’ fituan një penallti pasi Djed Spence u pengua në zonë nga Malo Gusto. Bukayo Saka mori përsipër ekzekutimin dhe ishte i saktë nga pika e bardhë, duke kompletuar tripletën personale dhe duke shënuar golin e pestë të Anglisë.

Franca nuk u dorëzua dhe në minutën e gjashtë të shtesës, Ousmane Dembele realizoi për 4-5 duke i dhënë sërish shpresë skuadrës së Didier Deschamps. Por vetëm dy minuta më vonë, Jude Bellingham zhvilloi një aksion fantastik individual, kaloi disa kundërshtarë dhe me një goditje të saktë vulosi fitoren përfundimtare 4-6 të Anglisë. Bellingham bëhet lojtari i parë anglez që shënon shtatë gola në një Kupë Bote, duke lënë pas këtë edicion Harry Kane me gjashtë. Kane nuk u preferua nga Thomas Tuchel duke e ndjekur nga stoli këtë sfidë.

Rekordi i Olise – Michael Olise la gjurmë në histori. Sulmuesi francez dhuroi 7 asistime këtë edicion, duke thyer një rekord historik të këtij kompeticioni. Një shifër që e vendos përpara legjendës Pele, i cili kishte regjistruar 6 asistime në Botërorin e vitit 1970.

Mbappe shkruan historinë e Kupës së Botës

Pavarësisht humbjes, Kylian Mbappe mbylli një tjetër Botëror historik. Me dy golat e shënuar ndaj Anglisë, sulmuesi francez arriti në kuotën e 22 golave në karrierën e tij në Kupat e Botës (ka luajtur 22 ndeshje), duke kaluar Lionel Messin, i cili ka realizuar 21 gola në total. Messi sot do të luajë me Argjentinën e tij në finale kundër Spanjës në orën 21:00 dhe ka shansin të kundërpërgjigjet në garën për ‘Këpucën e Artë’.

Mbappe zhvilloi një Botëror të jashtëzakonshëm sa i përket statistikave personale. Në edicionin e vitit 2026 ai shënoi 10 gola, pas 4 golave të realizuar në vitin 2018 dhe 8 golave në Botërorin e vitit 2022.

Në garën për “Këpucën e Artë” të këtij turneu, francezi kryeson bindshëm me 10 gola, i ndjekur nga Lionel Messi me 8 dhe Erling Haaland me 7.

Me këtë paraqitje, Mbappe ka vendosur një tjetër rekord të jashtëzakonshëm dhe vazhdon të shkruajë historinë e futbollit botëror. Ndërkohë, Anglia siguron medaljen e bronztë në Kupën e Botës 2026, rezultati më i mirë pas 60 vitesh, kjo pasi në vitin 1966 ‘Tre Luanët’ u shpallën kampionë të turneut për herë të parë dhe të vetme.

Franca e mbylli turneun në vendin e katërt, në ndeshjen e fundit të Didier Deschamps në stolin e ‘Bluve’. Ai do të zëvendësohet nga Zinedine Zidane.

Francë 4-6 Angli futet në listën e ndeshjeve të Kupave të Botës që kanë prodhuar +10 gola:

1954: Austri-Zvicër 7-5

1938: Brazil-Poloni 6-5

1954: Hungari-Gjermani 8-3

1982: Hungari-El Salvador 10-1

1958: Francë-Paraguaj 7-3

2026: Francë-Angli 4-6.