Franca është bërë kombëtarja e dytë që ia ka dalë të marrë një biletë për në çerekfinalet e Kupës së Botës 2026. Për ta bërë këtë, djemtë e Didier Deschamps fituan 0-1 kundër Paraguait në ndeshjen e 1/8-ave në stadiumin e Philadelphias, mesnatën mes të shtunës dhe të dielës me kohën shqiptare.
Ndeshja u vendos nga një 11 metërsh i kthyer në gol nga Kylian Mbappe në minutën e 70-të. Në çerekfinale Franca do të përballet kundër Marokut më datën 9 korrik në orën 22:00 me kohën në Shqipëri.
NDESHJA – Amerikano-latinët ishin të vendosur mirë në mbrojtje dhe Franca nuk rrezikoi shumë në pjesën e parë, paçka se kontrolloi lojën dhe doli disa herë mirë në sulm.
Trajneri i Francës, Didier Deschamps, vendosi që në minutën e 61-të të hidhte në fushë Desire Doue në vend të Barcola. Pas vetëm disa minutave në fushë, me freskinë dhe driblimet që e karakterizojnë, Doue u pengua në zonë dhe VAR thirri arbitrin uzbekistanas Tantashev për të riparë rastin.
Një kontakt ishte i dukshëm dhe gishti tregues i arbitrit u drejtua nga pika e bardhë e 11 metërshit. Kylian Mbappe mori përsipër penalltinë dhe e ndali pas krahëve të Orlando Gill, me portierin e Paraguait që nuk e kuptoi krahun e topit.
Shtatë gola për Kylian Mbappe këtë Botëror, duke barazuar Lionel Messin sa i takon golave, por ylli i Argjentinës ka një ndeshje më shumë për të luajtur.
Pas golit të shënuar Franca kontrolloi lojën dhe as dhjetë minutat shtesë nuk sollën golin e barazimit për Paraguain, që eliminohet pas një performance shumë të mire në këtë Kupë Bote. Por sot, ekipi nga Amerika Latine ‘harroi të luante’ pasi më shumë u përqëndrua te ndërhyrjet e ashpra në fushë, që për çudi nuk u ndëshkuan me kartona të verdhë. Në fund nuk mungoi tensioni mes dy kampeve.
Tanimë Franca do të jetë me mendjen nga ndeshja çerekfinale, aty ku pret Maroku i cili nga ana e tij mposhti 3-0 Kanadanë disa orë më parë.










